Aktualitet Politikë

Kuvend, rrëzohet kërkesa për interpelancë urgjente me kryeministrin!

Kuvendi rrëzoi kërkesën e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama. Në seancën e sotme, vetëm 23 deputetë votuan pro kërkesës së Bardhit, ndërsa 75 ishin kundër.

Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Bardhi nuk i kurseu akuzat ndaj maxhorancës. Po  ashtu, akuzoi kryeparlamentarin Niko Peleshi se siç tha “zgjodhi të mbrojë kryeministrin dhe jo parlamentarizmin”.

Ka një vit parlamenti dhe nuk ke pranuar kurrë asnjë kërkesë për interpelancë të deputetëve të opozitës. Çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për të përmbushur një detyrim kushtetues, për të ardhur në Kuvend dhe për të dhënë llogari, refuzimi për t’ju përgjigjur qytetarëve përmes institucioneve që i përfaqësojnë.

Ky nuk është një refuzim për opozitën, por për parlamentin dhe qytetarët shqiptar. Ju zoti Kryetar nuk po mbroni kushtetutën, por kryeministrin nga llogaridhënia dhe detyra  juaj është  të mbroni dinjitetin e kuvendit, por ju zgjodhët të mbroni kryeministrin dhe jo parlamentarizmin.

Edi Rama e di që nuk mund të flasë në publik për krimet e tij shtetërore. Edi Rama nuk mund ta japë dorëheqjen sepse nuk është më një njeri i lirë, por peng i sistemit të ndërtuar vetë. Nuk e lejojnë të largohet sepse ka ende borxhe për të shlyer, që i shlyen duke hapur zona të mbrojtura për beton.

Është ky sistem që shqiptarët po sfidojnë prej javësh në shesh. Nuk protestojnë më thjesht kundër ligjit për zonat  e mbrojtjes, por kundër një sistemi qeverisje ku ligji ndryshohet për klientët me votat tuaja dhe shteti përdoret për të mbrojtur pushtetin dhe jo qytetarët.