Mijëra qytetarë u mblodhën sërish para selisë së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në ditën e pestë të protestave kundër propozimit francez. Përmes tij synohet të tejkalohen disa mosmarrëveshje mes Shkupit e Sofjes, që do t’i hapnin rrugë integrimit të mëtejshëm europian të Maqedonisë së Veriut, si dhe Shqipërisë, pasi dy vendet nuk trajtohen të ndara nga Unioni.
Gjatë protestave, një person gjuajti me armë zjarri në ajër dhe kryetari i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, pjesëmarrës në protestë, pretendoi se ka dashur ta vrasë. Pa ofruar ndonjë provë për pretendimet e tij, Mickoski kërkoi ndalimin urgjent të të dyshuarit. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi se arrestoi personin, për të cilin kryetari i opozitës deklaroi se ka tentuar ta vrasë, por nuk dha më shumë detaje. Partitë në pushtet akuzojnë Mickoskin për skenar të prishjes së raporteve ndëretnike.
Protestat kundër propozimit francez mbështeten nga opozita maqedonase. Me mbishkrimin: “Nëse miratoni propozimin francez do të digjeni në ferr”, pankarta e vendosur nga protestuesit para Parlamentit të Maqedonisë së Veriut u dogj nga vetë ata. Me moton: “Ultimatum! Jo, faleminderit!”, protestuesit kërkuan që qeveria të hedhë poshtë propozimin francez, duke thërritur: “Dorëheqje” dhe “Ikni tradhtarë”.
Protestuesit u ndalën sërish para Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku gjuajtën me sende të forta, si dhe brohoritën shprehje nacionaliste ndaj shqiptarëve. Në gjithë Shkupin ra në sy prani e shtuar e forcave speciale, veçanërisht para institucioneve shtetërore. Deri tani janë ndaluar 11 persona, dy prej tyre të mitur.
Policia maqedonase bëri të ditur se po vazhdon identifikimi i personave të tjerë, të përfshirë në dhunën kundër institucioneve të shtetit dhe që sulmuan policët. Aktet e dhunshme i dënuan presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, David Geer.
Partitë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE dhe E Majta, kanë dalë kundër propozimit francez, duke dhënë alarmin se nëse nuk ndryshon, “rrezikohet gjuha dhe identiteti maqedonas”. Por, partia e kryeministrit Kovaçevski e ato shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, mbrojnë qëndrimin se ky propozim garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas, si dhe zhbllokon procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.