Ndërsa kryetari i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, pjesëmarrës në protestën e djeshme në Shkup pretendoi se një person tashmë i arrestuar ka dashur ta vrasë, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi sot se “policia parandaloi një incident të madh”, duke hedhur poshtë pretendimet e Mickoskit se “qëllimisht nuk reagoi në kohë”.
Policia e parandaloi incidentin, kjo faktohet me pamjet nga terreni, por nuk mund të jap më shumë detaje pasi hetimet vazhdojnë.
Ndërkaq, partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën për skenar të prishjes së raporteve ndëretnike. Kryetari i VMRO-DPMNE/së, Hristian Mickoski, theksoi se “për një kohë të gjatë ka marrë informacione për eliminimin e tij me urdhër të qeverisë, me qëllim nxitjen e konflikteve ndëretnike”.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se do të ketë tensione ndëretnike nëse propozimi francez nuk kalon. Kryeministri Kovaçevski e Spasovski po ndërtojnë një mjedis militant. Pati një njoftim për kokteje molotovi, për viktima e pasi dështuan, tashmë arritën në kulmin e monstruozitetit ku duhej humbur një jetë njeriu për të qëndruar në pushtet.
Por, kësaj akuze i janë përgjigjur dy partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate Maqedonase, LSDM dhe subjekti shqiptar Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI.
Eshtë e turpshme, e tmerrshme dhe e rrezikshme sjellja e opozitës, e cila tenton të paraqesë tensione mbi bazën e përkatësisë ndëretnike e në realitet ato janë shkaktuar nga përfaqësuesit e opozitës.
Kush e shkaktoi incidentin? E shkaktoi VMRO-DPMNE, E Majta dhe Aleanca për Shqiptarët. A mund të flasim për skenarë që kanë për synim destabilizimin e vendit, në momente kyçe kur jemi në hapin e fundit drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, si edhe për të finalizuar projektet jetike për këtë vend? Asgjë nuk është e rëndësishme! Vendit i duhen politikanë seriozë, subjekte politike që e kanë të qartë se ku duan ta çojnë vendin!
Nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, bëjnë të ditur se gjatë protestave të së mërkurës, tre punonjës të policisë janë lënduar, ndërsa u arrestuan pesë persona të dyshuar se shkaktuan trazira.