Një ish-punonjëse e kompanisë “Beast Industries” ka ngritur një padi të rëndë ndaj kompanisë dhe subjekteve të lidhura me të, duke pretenduar pushim të padrejtë nga puna, ngacmim seksual dhe diskriminim gjinor.
Padia është depozituar nga Lorrayne Mavromatis në një gjykatë federale në Karolinën e Veriut dhe përfshin edhe kompanitë MrBeast YouTube, LLC dhe GameChanger 24/7, LLC. Ajo pretendon shkelje të ligjit që garanton të drejtat e punonjësve për leje familjare dhe mjekësore, përfshirë periudhën pas lindjes.
Sipas dëshmisë së saj, Mavromatis ka vazhduar të punojë edhe gjatë lindjes dhe menjëherë pas saj, ndërsa më pak se tre javë pasi u kthye në punë, është pushuar nga detyra.
Ende po rrjedhja gjak dhe duhej të isha e pranishme
-ka deklaruar ajo në një intervistë.
Ajo ka paraqitur gjithashtu një ankesë në “Equal Employment Opportunity Commission”, duke akuzuar për diskriminim në bazë gjinie dhe shtatzënie, si dhe për trajtim të padrejtë në vendin e punës.
Nga ana tjetër, kompania “Beast Industries” i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të ekzagjeruara.
Sipas një deklarate zyrtare, pozicioni i saj është eliminuar si pjesë e një ristrukturimi të brendshëm dhe jo për arsye diskriminuese.
Padia përshkruan një ambient pune “toksik dhe mizogjen”, ndërsa kompania këmbëngul se pretendimet nuk qëndrojnë dhe janë të motivuara për vëmendje publike.
Rasti vjen në një moment kur perandoria mediatike e MrBeast po zgjerohet me projekte të mëdha, përfshirë reality show-n Beast Games dhe investime të reja në sektorë të ndryshëm.
Çështja pritet të zhvillohet në gjykatë, ndërsa mund të ketë ndikim të madh në imazhin publik të një prej figurave më të fuqishme në botën e YouTube.