Shpesh i quajmë “miku më i mirë i njeriut”, por sa mirë dimë vërtet të kuptojmë kur një qen është në dhimbje?
Një studim i fundit nga Utrecht University ka identifikuar 17 shenja kryesore që tregojnë se qeni mund të jetë duke vuajtur, dhe shumë prej tyre janë më të vështira për t’u dalluar nga sa mendoni.
Studiuesit zbuluan se shumica e njerëzve arrijnë të dallojnë vetëm shenjat më të dukshme, si çalimi apo ulja e aktivitetit. Por sinjalet më të rëndësishme shpesh kalojnë pa u vënë re.
Mes tyre përfshihen:
-lëpirja e buzëve ose hundës
-gogësitjet e shpeshta
-“lëpirja e ajrit”
-nuhatja e ajrit pa arsye
-shmangia e kontaktit (kthen kokën ose trupin)
-ngrirja në vend
Sipas studimit të publikuar në PLOS One, këto sjellje mund të jenë sinjale të hershme jo vetëm të dhimbjes, por edhe të agresivitetit të mundshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se kur janë në dhimbje, qentë mund të reagojnë në mënyrë të paparashikueshme, edhe ndaj situatave që normalisht nuk do t’i shqetësonin.
Një tjetër zbulim interesant është se edhe pronarët e qenve nuk janë domosdoshmërisht më të mirë në identifikimin e këtyre shenjave sesa njerëzit që nuk kanë kafshë shtëpiake.
Shenjat e tjera që duhen marrë seriozisht përfshijnë:
-ndryshime në personalitet
-humor i paqëndrueshëm
-më pak dëshirë për lojë
-kruarje apo pastrim i tepërt
-ndryshime në qime ose pamje
-shqetësim gjatë natës
-ngjitje e tepruar pas pronarit
Sipas autores kryesore të studimit, Ineke R. van Herwijnen, një nga gabimet më të mëdha është që shpesh e interpretojmë sjelljen e qenit si kokëfortësi apo mërzitje, kur në fakt mund të jetë dhimbje.
Mesazhi i ekspertëve është i qartë, nëse sjellja e qenit ndryshon papritur, mos e injoroni. Mund të jetë mënyra e vetme që ai ka për të “folur” dhe për të kërkuar ndihmë.