Gjykatat në Brazil do të jenë në gjendje të përcaktojnë marrëveshjet e kujdestarisë së përbashkët për kafshët shtëpiake të çifteve që ndahen, sipas ligjeve të reja. Ligjvënësit në Kongresin Brazilian e panë ndryshimin e ligjit si një reflektim mbi rëndësinë që njerëzit u japin kafshëve të tyre shtëpiake. Legjislacioni do të thotë që nëse një çift ndahet pa arritur një marrëveshje në lidhje me kafshën e tyre shtëpiake, “një gjyqtar do të përcaktojë marrëveshjen e kujdestarisë së përbashkët dhe shpërndarjen e barabartë të shpenzimeve të mirëmbajtjes së kafshës midis palëve”.
Aktualisht, vendi me 213 milionë banorë ka rreth 160 milionë kafshë shtëpiake, sipas Instituto Pet Brasil. Që ligji të zbatohet për çiftet që ndahen, kafsha duhet të ketë kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj me çiftin. Kujdestaria e përbashkët nuk do të jepet në rastet e të dhënave të mëparshme penale ose një historie ose rreziku të dhunës në familje.
Në Shtetet e Bashkuara, biznesi i kujdesit për kafshët shtëpiake po lulëzon. Sipas New York Times-it, në Manhattan, një seancë kujdesi për qentë mund të kushtojë deri në një mijë dollarë dhe mirëqenia e qenit tuaj është thelbësore e tani trajtohet në çdo mënyrë si ajo e një qenieje njerëzore. Ai që dikur konsiderohej thjesht një trajtim higjienik e që synonte pastërtinë, tani i ka tejkaluar kufijtë e mirëqenies, duke u bërë edhe një trajtim kundër plakjes.
Ndërkaq, gjithnjë e më shumë njerëz po nxitojnë të largohen nga Dubai dhe shtetet e tjera të Emirateve Arabe, duke u kthyer në atdheun e tyre për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Kjo ka bërë që shumë prej atyre që janë larguar të lënë pas kafshët e tyre shtëpiake, kryesisht qentë. Sipas informacioneve nga Daily Mail, ditët e fundit, veterinerët kanë marrë shumë mesazhe për kafshë shtëpiake të braktisura, ndërsa ka pasur edhe një rritje të kërkesave për eutanazi.
K9 Friends Dubai, një strehë adoptimi që ndihmon qentë endacakë në Emiratet e Bashkuara Arabe, thotë se kohët e fundit ka marrë një fluks kërkesash nga pronarët që duan të heqin dorë nga kafshët e tyre shtëpiake në mënyrë që ato të mund të largohen nga qyteti, si dhe thirrje për këlyshë të braktisur.