Ndërtimi i stadiumit të ri “Niko Dovana” të Durrësit, po prezantojnë projektet tre studio të njohura të arkitekturës. Para një jurie me personalitete ndërkombëtare të fushës, ky prezantim po bëhet nga 51N4E nga Belgjika, Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV nga Holanda. Në garën e hapur në shkurt të këtij viti, ato u përzgjodhën për në fazën finale. I pranishëm, kryeministri Rama foli lidhur me synimin për ta bërë Durrësin, destinacion të talenteve të reja në vend e rajon.
Jemi të vendosur që për Durrësin të bëjmë shumë më tepër akoma. Durrësi ka përpara një të ardhme që është gjithnjë e më e afërt, shumë domethënëse. Në fushën e sportit duam të bëjmë shumë më tepër. Ky është një nga projektet. Projekti tjetër është që ta kthejmë Durrësin dhe në një destinacion të talenteve në shkallë kombëtare e rajonale.
Përmes hapjes së akademisë së “Manchester City” në Durrës, ky qytet do të kthehet në destinacion për talentet e reja në shkallë vendi e për rajonin. Kryeministri Edi Rama tha se kjo akademi do të shërbejë për të gjithë Ballkanin, por edhe nëse grupi “Manchester City” vendos të hapë një të dytë në rajon, “Bashkia Durrës do të jetë partnere”. Një tjetër synim i qeverisë është të ngrihet grupi “Durrës City”.
Kemi marrë eksluzivitetin që këtu të kemi një qendër për të gjithë rajonin, për vendet e Ballkanit e më gjerë. Nëse bëhet një Akademi e dytë në Ballkan, Bashkia e Durrësit do të jetë partnere. Duhet të ngrejmë grupin tonë këtu. “Durrës City” do të jetë një bërthamë që të zhvillohet në të ardhmen edhe si skuadër më vete. Akademia dhe Shkolla e Futbollit do t’i shërbejnë të gjitha klubeve në Shqipëri. Akademia është në shërbim të të gjithë klubeve, bazuar në seleksionimin që bëhet për sportistët. Numri i djemve të rinj që janë të regjistruar në sistemin e futbollit në Shqipëri dhe atyre që janë të regjistruar në sistemin e futbollit europian është marramendës. Janë mbi 100 mijë të rinj, djem, fëmijë shqiptarë, të regjistruar në sistemet futbollistike europiane.