Politikë

Rama: Anëtarësimi në BE, interes kombëtar!

Në krah të Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, Kryeministri Rama tha sot se pas rekomandimit pozitiv, tashmë Shqipëria pret nga BE-ja, çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE: “Për ne ky proces lidhet me të ardhmen e vendit tonë, me ndërtimin e gjeneratave të ardhshme dhe detyrimin për të ndërtuar Shqipërinë evropiane këtu në Shqipëri. Është një proces që kërkon durim, kohë, një proces jo vetëm sa na e kërkojnë të tjerët, por një proces se na e kërkon interesi kombëtar. Ky proces transformues për rajonin është i lidhur me perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.” Donald Tusk e nisi me Tiranën turin rajonal, ndërsa vlerësoi përparimet e Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimeve. “Edhe pse jam i kujdesshëm, sot mund të them se jam optimist kur bëhet fjalë për këtë perspektivë afatgjatë dhe në këtë perspektivë afatshkurtër përsëri optimist”. Tusk e cilësoi sfidë, bindjen e vendeve skeptike të Unionit për hapjen e negociatave: “Do të jetë sfidë që të binden të gjitha shtetet anëtare të BE. Jam i vetëdijshëm që ky proces do i ngjajë një gare me pengesa se sa një autostrade, por BE dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin sëbashku, mund të mbështeteni tek unë edhe në këtë proces të ndërlikuar.”  Deri më 27 Prill, turi rajonal i kreut të Këshillit Evropian vijon në Podgoricë, Beograd, Prishtinë, Sarajevë e Shkup.