Aktualitet Rajoni

Rama: BE të sigurojë zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Bazë, rajoni jo peng i një krize Kosovë-Serbi!

Kryeministri Edi Rama reagoi sot për situatën në veri të Kosovës, duke theksuar se “Bashkimi Europian duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes Bazë”.

Po ashtu, shefi i qeverisë vuri në dukje se rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pambarimtë mes Kosovës e Serbisë.

Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikanëve vendas është i paqartë, të bëhet një Donbas i vogël për shkak të një kryengritjeje të nxitur nga Rusia dhe as dialogu të bëhet një lojë faji e Ballkanit të vjetër, për mungesë të një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira.

Sipas kryeministrit, “diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak priti në Bruksel shefin e ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin nga pala serbe. Pas takimit, Lajçak u shpreh se dialogu do të vazhdojë.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përgjegjëse Kosovën për tensionet e krijuara, ndërsa Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën. Madje, BE-ja i vendosi masa ndëshkuese Prishtinës.

I pyetur nëse arritja e dakordësisë më 10 korrik në Bratisllavë mes Kosovës e BE-së për shtensionim të situatës do të rezultojë me heqjen e masave ndëshkuese të Bllokut ndaj Prishtinës, Bislimi tha se është i habitur me mosveprimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell.

Në Bratisllavë jemi dakorduar për një marrëveshje që quhet Aranzhimet mes Kosovës dhe BE-së për implementimin e qëndrimit të 27 vendeve anëtare të BE-së, të datës 3 qershor. Titulli tregon se marrëveshja ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe rrjedhimisht u përgjigjet kërkesave të BE-së. Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe për ne është habi që edhe tetë ditë pas darkodimit, ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e zotit Borrell që kërkon heqjen e masave.