Nga takimi me vajzat dhe gratë socialiste në Gjirokastër, kryeministri Edi Rama mori meritat e Reformës në Drejtësi, teksa tha “vendit i duhet një drejtësi e çliruar nga politika”.
Edi Rama: Altin Dumani është një prokuror me integritet dhe kurajoz. Meriton të gjithë respektin dhe solidaritetin për të gjitha ato sulmet që i bëjnë. Por, çështja është që Dumani nuk erdhi nga hëna këto 3-4 vite. Ishte në Tiranë dhe prej vitesh punonte prokuror. Si ka mundësi që ne nuk e dinim që ekziston një person me këtë emër? Që ky person i ndershëm në gjitha ato vite në Prokurori nuk ka thirrur një njeri me pushtet ta marrë në pyetje? Si ka mundësi që e gjithë struktura atje e bën këtë gjë sot? Çfarë e ka bërë këtë dallim? Puna ishte se që nga viti 1912, kur është krijuar shtetit shqiptar, nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një person i pushtetshëm të përgjigjej para prokurorëve të pavarur. Kishte ndodhur të pushkatoheshin pa gjyq.
LEXO EDHE: Nëse zgjedhjet mbahen sot, 49.2% e shqiptarëve votojnë PS-në, 35.7 PD-në!
“Madje, këtu në këtë vend para 10-12-14 vitesh ka ndodhur që i pari i vendit të bëjë sehir, ka bërë më shumë se sehir në vrasjen e protestuesve para dritares së vetë. Kur prokurori i përgjithshëm, që ishte një grua, ka tentuar t’i çojë fletëthirrje tre drejtuesve të policisë, ai doli dhe tha “Ajo është një lavire” dhe nuk lejoi që drejtësia t’i merrte në pyetje. A e imagjinoni ju këtë sot? Ka ndryshuar diçka thelbësore, ka ndryshuar Shqipëria, ka ndryshuar drejtimi. Prandaj thotë populli se vendi po shkon në drejtimin e duhur, kur e pyet ai sondazhisti i Trump”.
Kryeministri Edi Rama komentoi edhe nga Gjirokastra sondazhin e McLaughlin & Associates, në bashkëpunim me Top Channel, i cili u transmetua një natë më parë në emisionin Top Story në Top Channel. Ai e cilësoi CEO-n e McLaughlin & Associates, John McLaughlin si një ndër sondazhistët më të mirët në Amerikë.
Kryesocialisti i konsideroi shifrat e sondazhit shumë domethënëse:
“Jam çuar sot në mëngjes herët pa fjalë për shkak se mbrëmë pasi i mbaruam të gjitha dhe pasi i mbarova dhe ato ça kisha për të bërë vetë isha i interesuar të shikoja se në një nga kanalet televizive ishte njeriu i sondazheve të Donald Trumpit i cili është një ndër sondazhistët më të mirë të Amerikës. Për hir të së vërtetës ai në Amerikë këmbëngulte që opinioni publik anonte nga Trump ndërkohë që shumica dërrmuese këmbëngulte të kundërtën, në fund i doli fjala.
Isha kurioz të shikoja çfarë kishte nxjerrë ai si konkluzion nga anketimi i parë dhe duke qenë se unë nuk shoh TV kur është fjala për këto sallonet e berberhanet e natës që nga 2009 nuk i shoh, ndonjëherë shumë rrallë ishte hera e dytë pas shumë kohësh, futem në Youtube dhe i shikova me pjesë”, – tha Rama.