Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Nëse zgjedhjet mbahen sot, 49.2% e shqiptarëve votojnë PS-në, 35.7 PD-në!

Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, 49.2% e shqiptarëve do të votonin për Partinë Socialiste. 35.7% për Partinë Demokratike, e ndjekur nga Lëvizja Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt me 6.8 dhe Mundësia e Agron Shehajt me 1.6%. Këto janë rezultatet e sondazhit të John McLaughlin-it, që sondazhisti i presidentit Trump i prezantoi mbrëmë në emisionin Top Story në Top Channel ndërsa elektoratin shqiptar e krahasoi me atë amerikan.

Referuar sondazhit të realizuar në muajin shkurt, 50% e shqiptarëve zgjedhin Edi Ramën si kryeministrin e ardhshëm të vendit. Vetëm 36.1% duan që vendi të drejtohet nga Sali Berisha. Nga partitë e reja politike, listën e të preferuarve të shqiptarëve e kryeson Adriatik Lapaj. 8.5% e zgjedhin atë për kryeministër, i ndjekur me përqindje më të vogël nga Agron Shehaj e Arlind Qori.

Të tjera rezultate të sondazhit të prezantuar në Top Story nga McLaughlin janë për pëlqyeshmërinë e liderit. Edi Rama kryeson me 53.3%, më pas vjen Sali Berisha me 39.1. Ndërkaq, 35.8% zgjedhin Adriatik Lapajn, 25.6 Agron Shehajn e 15.6% Arlind Qorin. Lulzim Basha pëlqehet si lider nga 11.2% e shqiptarëve dhe Ilir Meta nga 8.3.

Sondazhi i nisur në Top Story është bashkëpunim i nivelit të lartë mes Top Channel e sondazhistit McLaughlin, i cili parashikoi fitoren e Trump-it në presidencialet e nëntorit. Në rubrikën “Sy m’Sy”, kryeministri Edi Rama komentoi rezultatet e sondazhit të parë.

Mbrëmë isha kurioz se ai është interesant se është i veçantë në fushatën amerikane. Faktikisht ishte kundër rrymës, ndërkohë që shumica jepnin Kamala Harris-in fituese në SHBA. Ky ishte ai që këmbëngulte për të kundërtën dhe në fund i dolën parashikimet. Ah, edhe sondazhisti i Donald Trump-it e dinte që më 11 Maj ka vetëm një fitues, që të jemi të qartë.