Aktualitet Zgjedhjet 2025

Sondazhi i McLaughlin në Top Channel/ Ja si renditen Rama, Berisha e politikanët e tjerë!

Sipas sondazhit të kryer nga McLaughlin&Associates në bashkëpunim me Top Channel, perceptimi publik për kryeministrin Edi Rama mbetet në përgjithësi pozitiv, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shprehen negativisht për të.

Sipas shifrave të transmetuara në emisionin Top Story, të dhënat tregojnë se 53.3% e qytetarëve e pëlqejnë Ramën, nga të cilët 30.9% shprehen se e pëlqejnë shumë dhe 22.4% disi. Nga ana tjetër, 44% e të anketuarve thonë se nuk e pëlqejnë, me 28.6% që e konsiderojnë “aspak të pëlqyer” dhe 15.4% që nuk e pëlqejnë shumë. Vetëm 2.4% e qytetarëve nuk kanë një mendim, ndërsa 0.1% e kanë të panjohur dhe 0.2% refuzuan të përgjigjen.

Sondazhi i realizuar nga McLaughlin&Associates, i publikuar mbrëmë në “Top Story” tregon perceptimin publik për drejtuesit e shtatë partive politike në vend. Sa i takon kryetarit të Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare në vend, Sali Berishës, shumica e të anketuarve nuk kanë një mendim të mirë për të.

57.4% e qytetarëve shprehen se nuk e pëlqejnë kryedemokratin, ndërkohë që 38.7% e konsiderojnë si “aspak të pëlqyer”. Nga ana tjetër, 39.1% e qytetarëve kanë një mendim pozitiv, me 21.1% që e pëlqejnë shumë dhe 18% që e pëlqejnë disi.

Ndërkohë, 3.1% e të anketuarve shprehen se nuk kanë një mendim. 0.1% e konsiderojnë figurë të panjohur dhe 0.2% refuzuan të përgjigjen. Lideri historik i Partisë Demokratike, me rikthimin në krye të partisë që themeloi vetë, kërkon të fitojë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit e të sigurojë një mandat qeverisës duke u rikthyer në pushtet pas humbjes në votimet e qershorit 2013, 12 vjet më parë.

Ndërkohë, të tjera figura politike rezultojnë me pëlqyeshmëri më të ulët: Ilir Meta dhe Lulzim Basha marrin vetëm 8.3% dhe 11.2% respektivisht e kanë një nivel shumë të lartë mosaprovimi prej 84%. Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj kanë një vlerësim relativisht të lartë, me përkatësisht 35.8% e 25.6% pëlqyeshmëri. Arlind Qori rezulton me 15.6% pëlqyeshmëri dhe 41.2% mosaprovim.