Aktualitet

Rama i kthen përgjigje demokratit: “F*ck you s’ishte për shqiptarët!

Kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale ku i përgjigjet një qytetari që i drejtohet me fjalët “o ndyrësirë” për frazën “fuck you” që shefi i qeverisë përdori në intervistën me “Financial Times.”

Në përgjigje, Rama, që e identifikon djalin si “demokrat 24 karatë”, shprehet se nuk ishte një frazë drejtuar popullit shqiptar, por atyre që e akuzojnë pa pasur asnjë provë.

“Para se të hapja videon, ndieva sëkëlldinë e tij. Demokrat 24 karatë, nip i një demokrati të respektuar, profesionist me të cilin më lidh respekti i ndërsjelltë. Unë s’ua kam thënë shqiptarëve atë gjë, duket qartë edhe në artikull kur gazetari i Financial Times më ka pyetur si u përgjigjesh ti atyre që të akuzojnë se je kumbari i Shqipërisë? Është në fakt për atë që më akuzon për vite e vite dhe më ka baltosur. Nga një orë bisedë e lirë, gazeari zgjodhi pikërisht atë fjali, por unë s’jam pishman”, tha Rama.

Qytetari e akuzon kryeministrin si shkaktarin e rënies së nivelit të shëndetësisë që e detyroi babain e tij të kurohej jashtë sepse në Shqipëri e trajtonin për ulcer, por më pas ndërroi jetë.

Rama thotë se sipas verifikimeve, babai i djalit është kuruar jashtë dhe s’ka shkelur në asnjë spital të Shqipërisë, teksa shton:

“Djali ka shkuar shumë larg bashkë me valën e revolucionit imagjinar të bulevardit. Urrejtja politike dhe furia e algoritimit e kanë bërë të më fajësojë mua publikisht pas 10 vjetësh kur i ati që nuk u shërua dot në Tiranë nga kanceri i mëlçisë dhe ndërroi jetë në Vjenë, kthehet në skenë për t’u përdorur për mish për top,” thotë Rama, teksa pohon se shëndetësia ka nevojë për më shumë punë.

“Mos e kruaj me popullin! Mos i jep gojës! Ik e një orë më parë!”, shprehet djali në video.

“Jo popullit jo! Jo popullit, as ky djali as ata që iu djeg ajo fjala që më akuzojnë të dalë duarsh e mendsh, nuk flasin dot në emër të popullit sepse populli flet vetë. Ata njerëzit askush nuk i ka linçuar, thjesht janë ekspozuar për t’u çmaskuar me fakte si individë të rrezikshëm, jo me shpifje, jo me sharje”, është përgjigjja e kryeministrit.
Më tej, qytetari i kërkon të japë dorëheqjen që “shqiptarët ta marrin Shqipërinë në dorë”, por Rama i rikujton kontratën.

“Jo sepse unë jam i lidhur me kontratë me popullin sovran të Shqipërisë me të cilin kam firmosur deri në 2029 dhe nuk kanë para për të yshtur këtë protestë dhe unë nuk i ngatërroj me këto personazhe të padinjitetshme. Me t’u neutralizuar e keqja e madhe me shumë koka që ka kapur për fyti protestën, do të kthehem drejt masës domethënëse të njerëzve dhe do t’u them se çfarë kam kuptuar nga e gjithë kjo nevojë e tyre për të protestuar dhe si mendoj unë se duhen adresuar ato që, së brendshmi, sinqerisht i thërrasin njerëzit drejt protestës, drejt nevojës për t’u dëgjuar, drejt admirimit për ata që protestojnë në emër të tyre”, përfundon kryeministri.