Kryeministri Edi Rama thotë se emigrantët e vlerësojnë më mirë shkallën e përparimit të Shqipërisë. Në një video në Facebook, iu përgjigj një qytetari se emigrantët nuk duhet të votojnë me postë për të shmangur manipulimet. Kryeministri u shpreh se ata e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë.
Unë mendoj se emigrantët e dinë mirë, madje shumica dërrmuese e tyre, janë më të kthjellët se ne, për të paktën tre gjëra themelore. E para, ata janë më të kthjellët në vlerësimin e shkallës së përparimit të Shqipërisë, sepse nga njëra anë patjetër s’i kanë gërr mërret e përditshme të jetës së këtushme që shpesh na lodhin të gjithëve, por nga ana tjetër, kanë mundësinë të vlerësojnë më kollaj dallimin mes asaj që shohin kur vijnë dhe asaj që kanë parë kur kanë ardhur herën e kaluar.
E dyta, emigrantët nuk kanë iluzione për jetën atje ku janë dhe shpeshherë as nuk i kuptojnë ankesat tona për faktin se kafet dhe restorantet janë plot, por ata që rrinë më shumë ulur ankohen më shumë se s’ka bukë, rrugë, ujë, punë. Emigrantët punojnë fort, shumë fort, shpesh bëjnë nga dy punë. Atje nuk ka kushëri, krushqi, parti e punë në shtet. Emigrantët paguajnë fatura pas faturash dhe lodhen shumë për të përballuar kostot që janë rritur eksponencialisht në Evropë krahasim me pagat që ata marrin.
E treta, emigrantët dinë ta vlerësojnë më shumë sesa ne rëndësinë e imazhit dhe reputacionit të Shqipërisë jashtë kufijve. Sot ata po e thonë çdo ditë e me gojën më plot, jam nga Shqipëria sepse i kemi dhënë dinjitetin që s’e ka pasur kurrë në botën e jashtme dhe do ta ngjisim në majën e 2030-ës si të barabartë mes të barabartësh jo vetëm në marrëdhënie, se këtë e kemi arritur, por edhe në tryezën e familjes së bashkuar evropiane. Kështu që thotë një fjalë e urtë, mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët, emigrantët e dinë mirë, shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe do ta shikosh se do ta bëjnë.
Në një tjetër zhvillim, në podcast-in “Flasim”, kryeministri Rama paralajmëroi një program mbështetës për agroturizmin.
Kemi një program të ri që do ta shpallim së shpejti. Do të japim mbështetje financiare, e kombinuar kredi e butë me grant, tha Rama gjatë podcast-it ku kishte ftuar Sofokli dhe Dhurata Daupajn nga Tragjasi i Vlorës, pronarë të një agroturizmi.
Teksa tregohej historia e djalit të familjes që punon marangoz në Gjermani, Rama nxiti shqiparët që jetojnë e punojnë në shtete të huaja, “të kthehen në Shqipëri për një jetesë më të mirë”.