Aktualitet Politikë

Rama: Nga janari nis zbatimi i Paqes Fiskale, përfitojnë 99% e bizneseve!

Sot në takimin me komunitetin e biznesit për Paketën Fiskale 2026, kryeministri Edi Rama deklaroi se Paqja Fiskale është zotimi i qeverisë që nga fushata elektorale dhe është bërë ligj, pavarësisht debateve që nuk adresuan thelbin e kësaj nisme.

Rama tha se nga janari 2026, vendi do të jetë në kushtet për të filluar zbatimin e saj. Gjithashtu kryeministri theksoi se marrëveshja e Paqes Fiskale nuk do të zbatohet te bizneset me rekorde ligjore që venë në dyshim legjimitetin e tyre apo në konflikt me ligjin. Sipas tij, përfitues të ligjit do të jenë 99% e bizneseve.

Paqja Fiskale është zotimi ynë i fushatës elektorale dhe sot është ligj, pavarësisht debateve që nuk adresuan thelbin e kësaj nisme. Nga janari i vitit të ardhshëm, jemi në kushtet që të mund ta zbatojmë këtë nismë.

Është një iniciativë që synon të ndërtojë një urë besimi mes administratës tatimore e sipërmarrjes. Nuk është shpikje e jonë. Vetë togfjalëshi ka lindur në Romë shumë kohë më parë dhe është një instrument i përdorur me mijëra vite.

Gjithashtu, ky ligj ofron mundësi për sipërmarrjen, që të rishikojë pasqyrat fiskale të vitit të kaluar, pa qenë në konflikt me ligjin. Ky rishikim u jep mundësi bizneseve të vetë-korrigjohen, duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara dhe përfituar një tatim më të ulët mbi fitimin, krahasuar me tatimin që paguajnë rregullisht.

Për çdo pasqyrë të korrigjuar, tatimi është 5%. Kjo rrit formalizmin, nuk cënon integritetin ligjor e ndihmon sipërmarrjet të përqendrohen te puna dhe sfidat e veta, pa u ngarkuar me borxhet e së shkuarës.

Ligji shkon paralel me një adresim të përgjithshëm të gjobave, ku parashikohet nga fshirja totale e deri te pagesa e kostove me lehtësira. Qëllimi është të lehtësohet puna e sipërmarrjes, duke i mundësuar të ketë më shumë energji për t’u fokusuar te aktiviteti i vet dhe jo te procedurat burokratike apo inspektimet, që janë në thelb të kësaj nisme.

Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se ligji i Paqes Fiskale dhe ai për fshirjen e detyrimeve tatimore e doganore janë nisma që vijnë si kërkesa të drejtpërdrejta nga komuniteti i biznesit, të parashtruara përmes Ministrisë së Sipërmarrjes.

Ligji i Paqes Fiskale dhe ai për fshirjen e detyrimeve tatimore e doganore janë nisma që vijnë si kërkesa të drejtpërdrejta nga komuniteti i biznesit, të parashtruara përmes Ministrisë së Sipërmarrjes. Ne garantojmë se këto politika nuk cënojnë stabilitetin fiskal dhe nuk dekurajojnë tatimpaguesit e rregullt.

Paketa Fiskale mbështet biznesin, lehtëson barrën administrative dhe nuk rrit barrën e taksave për ta. Qeveria ka arritur të rrisë të ardhurat e buxhetit, pa rritur barrën për bizneset. Nga 8 ligjet që përbëjnë paketën fiskale, 4 janë ligje kryesore: ligji për Paqen Fiskale, ligji për fshirjen e detyrimeve, TVSH-ja në bujqësi dhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme.

Qëllimi ynë është i qartë: të ngremë një sistem që nxit konkurrencën e ndershme dhe afron kuadrin fiskal të Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian. Biznesi duhet të pajiset me njohuritë e nevojshme për të kuptuar funksionimin e tregut europian e për të pasur avantazhe konkurruese në raport me tregun europian.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi gjithashtu se elementi kryesor që mund ta çojë ekonominë përpara është dialogu i vazhdueshëm mes qeverisë dhe biznesit. Sipas saj, Shqipëria ndodhet në një pikë ku politikat që po ndërmerren nga qeveria përfaqësojnë arritje të standardeve dhe janë pjesë e rrugës së integrimit europian, duke synuar përfitimin nga tregu i përbashkët.