Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të martë (4 mars 2025) në rrjetet sociale një video me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës, se ai ishte arratisur për t’i shpëtuar drejtësisë.
Në mbishkrimin ngjitur videos, kryeministri Rama shprehet se Agaçi dhe familjarë të tij u përballën me shpifje dhe sajesa nga “Bufi i Këneteës” (duke iu referuar kreut të PD, Sali Berisha), ndërsa ai “ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”.
“Rama: Sapo jam kthyer nga Berlini kam gjetur këtu një të kthyer tjetër nga arratia, ja ku është Engëll Agaçi.
Agaçi: Përshëndetje të gjithëve! Ju falënderoj me gjithë zemër për mbështetjen.
Rama: Jo të gjithë, por mbështetjen e atyre që mbështeten. Atyre tjerëve, pa merak më 11 maj”,- shprehen Rama dhe Agaçi.
“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”-shkruan Rama krahas videos.