Aktualitet

Rama paralajmëron sistem të ri të furnizimit të naftës: Do sjellë kontroll të çmimit

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot një sistem të ri të furnizimit të naftës në vendin tonë.

Nga mbledhja e zhvilluar sot në Tiranë me drejtuesit vendorë, Rama tha se kjo sjellë kontroll me çmimin dhe gjithë sistemin e qarkullimit të naftës.

“Jemi duke punuar për një sistem të ri të furnizimit të naftës, është një mundësi për të kaluar edhe te furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizimin e kontratave.

Kjo do sjellë kontroll mbi çmimin dhe gjithë sistemin e qarkullimit të naftës”-u shpreh kryeministri Edi Rama.

Po ashtu nga dita e sotme, produktet e bulmetit dhe mishit nuk do të lejohen të shiten pa faturë tatimore. Në takimin me deputetët e qarkut Tiranë, kryeminsitri Edi Rama foli edhe për sigurinë ushqimore e tha se nuk do të lejohet shitje e qumështit të freskët dhe mishit pa faturë. Në të kundërt, produktet konfiskohen.

E fundit që kam, është siguria ushqimore. Edhe këtu na duhet të hedhim hapa shumë të mëdha përpara, sepse është një nga pikat më të dobëta që kemi në raport edhe me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Edhe këtu, me pezullimin e veprimtarisë së AKU-së e fillimin e një procesi provimi të të gjithë inspektorëve të AKU-së me gojë dhe me shkrim, si dhe hapjen e mundësisë për të tjerë që të përfshihen në Agjenci, kemi hedhur vetëm hapin e parë.

Nga sot dhe po shikoja informacionet para se të vija këtu, filloi procesi i kontrolleve dhe i konfiskimit të qumështit e të bulmetrave pa faturë.

Domethënë pa siguri ushqimore, aq më tepër në këto temperatura të larta, largqoftë mund të ndodhin gjëra shumë të rënda në lëndim të shëndetit të konsumatorëve. Qumësht dhe bulmet i freskët pa faturë dhe mish i freskët pa faturë nuk do të lejohen e kushdo që do t’i tregtojë, do t’i humbasë si mall. Ky është vetëm fillimi i një kontrolli shumë më të rreptë përsa i përket sigurisë ushqimore.

Në tërësi, besoj që do të jetë një punë që do të bazohet tek vazhdimësia, por do të jetë një punë që nuk do të jetë aq e vështirë sa do të ishte jo shumë vite më parë sepse baza është e vendosur dhe sepse shumica dërrmuese e qytetarëve janë tanimë shumë të qartë lidhur me këtë.