Aktualitet Food & Drink

Rama: Kush tregton qumësht dhe mish pa faturë i konfiskohet malli!

Nga dita e sotme, produktet e bulmetit dhe mishit nuk do të lejohen të shiten pa faturë tatimore. Në takimin me deputetët e qarkut Tiranë, kryeminsitri Edi Rama foli edhe për sigurinë ushqimore e tha se nuk do të lejohet shitje e qumështit të freskët dhe mishit pa faturë. Në të kundërt, produktet konfiskohen.

E fundit që kam, është siguria ushqimore. Edhe këtu na duhet të hedhim hapa shumë të mëdha përpara, sepse është një nga pikat më të dobëta që kemi në raport edhe me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Edhe këtu, me pezullimin e veprimtarisë së AKU-së e fillimin e një procesi provimi të të gjithë inspektorëve të AKU-së me gojë dhe me shkrim, si dhe hapjen e mundësisë për të tjerë që të përfshihen në Agjenci, kemi hedhur vetëm hapin e parë.

Nga sot dhe po shikoja informacionet para se të vija këtu, filloi procesi i kontrolleve dhe i konfiskimit të qumështit e të bulmetrave pa faturë.

Domethënë pa siguri ushqimore, aq më tepër në këto temperatura të larta, largqoftë mund të ndodhin gjëra shumë të rënda në lëndim të shëndetit të konsumatorëve. Qumësht dhe bulmet i freskët pa faturë dhe mish i freskët pa faturë nuk do të lejohen e kushdo që do t’i tregtojë, do t’i humbasë si mall. Ky është vetëm fillimi i një kontrolli shumë më të rreptë përsa i përket sigurisë ushqimore.

Në tërësi, besoj që do të jetë një punë që do të bazohet tek vazhdimësia, por do të jetë një punë që nuk do të jetë aq e vështirë sa do të ishte jo shumë vite më parë sepse baza është e vendosur dhe sepse shumica dërrmuese e qytetarëve janë tanimë shumë të qartë lidhur me këtë.

Nisja e aksionit u njoftua më herët edhe nga Administrata Tatimore. Tatimet sqaruan se sipas Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, neni 6, pika 3; neni 7, pika 2 dhe neni 9, tatimpaguesit duhet që:

-Çdo artikull blegtoral dhe bujqësor që disponojnë dhe tregtojnë ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar të blerjes, në të cilën të identifikohet dukshëm dhe qartë shitësi, si rrjedhojë edhe origjina e produktit.

-Çdo artikull që tregtojnë ndaj konsumatorit final ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar, ku të jenë pasqyruar saktë dhe dukshëm emërtimi dhe çmimi i produktit.

Në përfundim të fushatës ndërgjegjësuese, Task-Forca e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të monitorimit në terren do të nisë kontrollet në vend për të verifikuar që çdo produkt bujqësor apo blegtoral shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.