Turin e Llogaridhënies së qeverisë Kryeministri Edi Rama e nisi nga Tirana tek Amfiteatri i Liqenit Artificial ku kujtoi “tepsinë”. “Kemi marrë votën, jo për të marrë të gjithë tepsinë për vete, por për ta çuar tepsinë për skrap”, thotë Rama. Kryeministri shtoi se nuk duhet të ketë vend në administratën shtetërore për njerëzit e korruptuar, dhe se llogari para drejtësisë së re duhet të japin edhe politikanët. Kreu i qeverisë tha se kundërshtari më i madh i PS është vetë vetja, ndërsa tregoi bindshëm se askush tjetër nuk e mund partinë e tij. “Falënderoj dhe përgëzoj Bashkinë e Tiranës për këtë transformim të domosdoshëm të këtij amfiteatri që po merr formën që ka merituar dhe meritojnë të gjithë qytetarët qe frekuentojnë këtë park. Ne do bëjmë llogaridhënien e qeverisë që do të fusë në ‘sitë’ të gjithë administratën dhe ku do të përfshihen edhe ministrat. Hallet dhe problemet e qytetarëve duhet ti heqim për t’u bërë bashkë. Kemi ardhur këtu për t’ju thënë se ka plot gjëra që s’janë në rregull. Duke nisur gjithmonë nga vetja. Nga vetja sepse problemi më i madh, dhe kundërshtari më i madh i PS është vetja. S’na mund dot askush tjetër kjo dihet. Por që ne të bëjmë realitet gjera të cilat mund t’i bëjmë realitet, duhet të jemi vetëkritik dhe të nxjerrim më të mirën nga vetja”, tha Rama.