Aktualitet

Raporti i OECD, Blushi: BE rrëzoi propagandën e Ramës, Shqipëria e fundit në rajon për klimën e biznesit!

Raporti i fundit i OECD, i financuar nga Presidenca polake e Bashkimit Europian, për Konvergjencën ekonomike për Ballkanin Perëndimor për vitin 2025, e rendit Shqipërinë në fund të listës sa i përket klimës së biznesit

Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ditën e sotme, në një deklaratë për mediat. Ai theksoi se vendi ynë renditet i fundit sipas të dhënave zyrtare.

“Sipas të dhënave, që bazohen në analizën e 35 treguesve konkretë në 5 fusha të ndryshme, Shqipëria renditet vendi i fundit në rajon me 56 pikë, nën mesataren e Ballkanit Perëndimor prej 66 pikë për klimën e biznesit. Që nga periudha 2014-2016, rezultati i vendit tonë ka pësuar rënie, duke rrëzuar propagandën e gënjeshtër të Qeverisë për përparim në arritjen e standardeve të Bashkimit Europian”, u shpreh ai mes të tjerash.

Deputeti i PL theksoi se tashmë edhe Bashkimi Evropian e ka rrëzuar propagandën e kryeministrit Edi Rama, duke publikuar edhe tabelat e këtij raporti për gjetjet në lidhje me klimën e biznesit në Shqipëri.

Blushi vuri në dukje përkeqësimin e disa fushave, që nga sektori i ndërtimit, ekonomia informale, sistemi bankar, bujqësia dhe deri remitancat, duke vënë theksin te narkoekonomia dhe pastrimi i parave.