Aktualitet

Regjistrohet dita me më shumë pasagjerë në portin e Vlorës!

Kjo e shtunë ka shënuar ditën me më shumë pasagjerë dhe automjete të mbërritura për këtë sezon veror në portin detar të Vlorës. Në orët e para të ditës kanë mbërritur 1 019 pasagjerë dhe 48 anëtarë ekuipazhi, bashkë me 267 automjete, 2 kampera, 2 minibusë, 1 autobus dhe 4 motoçikleta. Në pasdite pritet të mbërrijë edhe trageti i dytë me të njëjtin nivel fluksi, duke e bërë këtë ditë kulmin e sezonit turistik në port.

Fluksi më i madh regjistrohet zakonisht gjatë fundjavave, kur shumë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vendet e Bashkimit Europian zgjedhin të kthehen në atdhe për pushimet verore. Por, nuk mungojnë as turistët e huaj që kanë përzgjedhur Shqipërinë si destinacion për të kaluar ditët e nxehta të gushtit. Autoritetet portuale janë angazhuar për të menaxhuar fluksin në rritje duke garantuar shërbime më efikase dhe pritje të organizuar për të gjithë pasagjerët.