Nga Korça, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi paralajmëron për situatën nga reshjet e shiut që pritet të përfshijnë vendin tonë pas mesditës, duke e vënë theksin te marrja e masave që të shmangen dëmtimet. Nga sot e ditët në vijim, në veriperëndim të territorit e kryesisht në Shkodër, por edhe në pjesën tjetër të vendit do të ketë një rritje të intensitetit të reshjeve që mund të shkaktojë fryrje të përrenjve e ndonjë përmbytje lokale.
Të gjitha bashkive, si edhe kryepleqve të fshatrave, ministri Peleshi iu bën thirrje për mbajtjen nën vëzhgim të situatës. Një apel drejtuar edhe banorëve, që të shmangin lëvizjet në ato vende ku ka kërcënim nga përrenjtë. Ministri i Mbrojtjes sqaroi se nuk është një situatë që sjell nevojën e ndërhyrjes së të gjithë strukturave të sistemit të emergjencave.
Duke nisur nga sot pas mesditës dhe gjatë të gjithë javës, në pjesën veriperëndimore të vendit, rreth Shkodrës, por edhe duke u përhapur në pjesën tjetër të vendit do të kemi një rritje të intensitetit të reshjeve. Të shmangim emergjencat lokale!
Lajmi i mirë është që jemi në një stinë që nuk favorizon përmbytje, ndërsa ka një mirëmenaxhim të Kaskadës, kështu që nuk do të ketë nevojë për shkarkime.
Shkarkimi do të jetë zero në të gjithë territorin. Reshjet në pjesën veriperëndimore mund të shkaktojnë fryrje të përrenjve e ndonjë situatë që mund të bëhet shkak për përmbytje lokale. Duhet të ketë mobilizim të të gjitha bashkive, por edhe banorët të shmangin lëvizjen në rrugë që kërcënohen nga përrenjtë. Nuk është një situatë për të cilën duhet ndërhyrja e strukturave të të gjithë sistemit të emergjencave.
Sa i përket parashikimit të motit për sot, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me kthjellime e vranësira në zhvillim, sidomos nga mesdita. Priten edhe shira në veriperëndim, perëndim e në qendër të territorit. Temperaturat variojnë 5-24 gradë celcius.