Reshjet e dendura të dëborës kanë qenë prezente edhe në segmentin rrugor Fan – Kolsh, pjesë e autostradës Milot – Morinë. Albanian Highway Concession (AHC), firma kontraktore e mirëmbajtjes së rrugës njofton se rruga është e pastruar nga dëbora dhe nuk ka probleme në qarkullimin rrugor.
Duke u nisur parashikimet për ditët në vazhdim, AHC njofton se ka marrë të gjjtha masat duke rritur numrin e shërbimeve për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”.
AHC ju bën apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit të tyre në ”Rrugën e Kombit”
“Kërkojmë nga përdoruesit e rrugës të ecin me shpejtësi të reduktuar. Të respektojnë sinjalistiken rrugore dhe kujdes të shtuar në tabelat elektronike dhe mesazhet që ato përcjellin. Të lëvizin me goma dimërore dhe të kenë në çdo rast zinxhirë në makinë”, njofton AHC.
Korça është një nga vendet që është prekur nga temperaturat e ulëta si edhe me reshje të dëborës dhe acari gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë akset më problematike sipas policisë janë, Qafë Thanë-Pogradec-Qafë Plloçë-Korçë-Kapshticë, Boboshticë-Dardhë dhe Qafa e Qarrit.
Gjithashtu drejtuesit duhet të jenë të pajisur me pajisje dimërore, për shkak të reshjeve më intensive të borës.
Sakaq nga autoritetet, shoferëve iu është bërë thirrje që të shmangin lëvizjet e panevojshme, me qëllim që të mos pengohet lëvizja e borëpastrueseve.
Agjencia e Mbrojtjes Civile ka publikuar disa këshilla për banorët e zonave ku parashikohen reshje bore dhe temperatura shumë të ulëta. Me detaje, Agjencia e Mbrojtjes Civile tregon veprimet që duhet të bëjnë dhe të shmangin qytetarët në rastet para bllokimit nga dëbora, gjatë bllokimit dhe më pas.
Çfarë duhet të bëjmë para bllokimit nga dëbora:
• Të sigurojmë ushqimin për familjen dhe kafshët shtëpiake të paktën për dy javë.
• Të sigurojmë nga ngrirja rrjetin e tubacioneve të ujit të pijshëm.
• Të sigurojmë mjetet e ngrohjes për të gjithë periudhën e dimrit.
• Të pastrojmë vazhdimisht çatitë e banesave nga shtresat e dëborës.
• Të sigurojmë veshje të trasha për fëmijët dhe të moshuarit.
• Të kemi një paketë të ndihmës së shpejtë për çdo rast emergjent.
• Të sigurojmë një aparat telefoni celular dhe një bateri për atë.
• Të kemi numrat e shërbimeve emergjente një nga telefonat e linjave celulare.
• Të sigurojmë një mjet ndriçimi me bateri, të pavarur nga rrjeti elektrik.