Bota

Rihapet aeroporti Heathrow në Londër, nisin hetimet për zjarrin në nënstacionin elektrik

Aeroporti Heathrow i Londrës është rikthyer në funksionim të plotë sot, një ditë pasi një zjarr në një nënstacion të energjisë aty pranë ndërpreu energjinë në objektet e tij dhe rezultoi në mbylljen e qendrës më të madhe ajrore të Evropës dhe kaos në transportin ajror ndërkombëtar .

Disa fluturime u zhvilluan mbrëmë, por pezullimi i operacioneve për pjesën më të madhe të ditës në aeroportin që shërben në vendin e pestë më të madh të pasagjerëve në botë, rezultoi që mijëra pasagjerë të përballeshin me probleme ku shumë prej tyre kërkonin dhoma hoteli apo vende në fluturime të tjera.

Stafi i aeroportit po përpiqej të ofronte ndihmë për pasagjerët e prekur nga pezullimi, tha një zëdhënës i Heathrow me email.

“Ne kishim qindra kolegë të tjerë në dispozicion në terminalet tona dhe shtuam fluturimet në orarin e sotëm për të lehtësuar 10,000 pasagjerë shtesë që udhëtonin nëpër aeroport,” shpjegoi zëdhënësi.

Aeroporti ka shtuar terminalet duke shtuar fluturimet për 10 mijë pasagjerë shtesë.

LEXO EDHE: Zjarri në aeroportin e Hearthrow, dyshime për sabotazh nga Vladimir Putin

Heathrow është aeroporti më i madh i Evropës, me më shumë se 83.9 mln pasagjerë në vit.

Sekretari i Energjetikës, Ed Miliband ka urdhëruar një hetim, duke thënë se ka “shumë për të mësuar” mbi incidentin.

Ed Miliband tha se kishte porositur Operatorin Kombëtar të Sistemit të Energjisë (Neso) të shqyrtonte incidentin.

“Humbja e energjisë në zonën e Heathrow ka shkaktuar ndërprerje të mëdha për mijëra njerëz dhe shumë biznese. Ne jemi të vendosur të kuptojmë siç duhet se çfarë ndodhi dhe çfarë mësimesh duhen nxjerrë”, shkroi Miliband.

“Kjo është arsyeja pse duke punuar me Ofgem, unë kam porositur sot Neso të kryejë një hetim mbi këtë incident specifik dhe të kuptojë çdo detaj dhe mësim që duhet të nxirret mbi elasticitetin e energjisë për infrastrukturën kombëtare, tani dhe në të ardhmen”, përfundoi ai.