Në një seancë maratonë, sot kryeministri Edi Rama paraqet në Kuvend programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Seanca që e ka startin në orën 10:00 pritet të zgjasë mbi 25 orë. Çdo deputet ka në dispozicion nga 10 minuta për fjalën përkatëse, siç u vendos dje në Konferencën e Kryetarëve.
Pas Ramës, në foltore duhet të marrë fjalën Sali Berisha. Rregullorja parashikon që vetëm kryeministri dhe lideri i opozitës kanë të drejtë të flasin pa kufizim kohe ose në barazi mes tyre.
Diskutimet deri në mesnatë duket se do të çojnë në ndërprerjen e seancës dhe rifillimin e saj ditën e nesërme. Në fund të maratonës, Kuvendi i Shqipërisë do të votëbesojë qeverinë e re me kryeministrin dhe 16 ministrat, duke votuar dekretet e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Nëse nesër votimi zhvillohet herët, edhe ceremonia e betimit të kabinetit në Presidencë mbahet po atë ditë. Në rast të kundërt, shtyhet për të shtunën. Menjëherë pas betimit, Rama pritet të thërrasë mbledhjen e parë të qeverisë së re, siç ka ndodhur në mandatet e mëparshme.
Sa i përket programit qeverisës, bazohet në tre shtylla kryesore:
E para, “Shqipëria Evropiane” dhe synimi për ta integruar vendin në Bashkimin Europian brenda 2030-ës. Shtylla e dytë bazohet te “Rritja e qëndrueshme ekonomike” dhe te e treta, ekzekutivi premton se këtë mandat do t’i hedhë më shumë sytë te qytetarët me “Mirëqenie për të gjithë”.