Robotët që lëvizin me shpejtësi nëpër shtigje të ndryshme rrugore mund të tingëllojnë diçka “futuristike”, por ata po përdoren gjithnjë e më shumë për të bërë dërgesa në të gjithë botën. Por pasiguria ligjore dhe shqetësimet për sigurinë kanë penguar përhapjen e gjerë në Australi, me robotët që klasifikohen në një zonë gri të ligjeve ekzistuese të trafikut. Ekspertët thonë se pa një kornizë të qartë ligjore, kompanitë hezitojnë të testojnë shërbime të tilla në vend.
Megjithatë, interesi po rritet. Mbështetësit e kësaj teknologjie theksojnë se robotët mund të ndihmojnë në uljen e ngarkesës në trafik, reduktimin e ndotjes dhe shkurtimin e kostove të dorëzimit veçanërisht në zonat urbane dhe ambiente të kontrolluara si kampuset universitare. Me ligje të reja për automjetet autonome të planifikuara për vitin 2026, ekspertët shpresojnë që autoritetet australiane të tregojnë më shumë guxim për të përqafuar të ardhmen e dorëzimeve me robotë.
Rikujtojmë se Kina ka hapur spitalin e parë në botë të menaxhuar plotësisht nga inteligjenca artificiale, me 14 mjekë AI në staf. Spitali është krijuar nga studiuesit e Universitetit Tsinghua dhe është në gjendje të diagnostikojë, trajtojë dhe menaxhojë kujdesin ndaj pacientëve pa ndërhyrje njerëzore. Gjatë fazës së provës, mjekët AI trajtuan mbi 3 mijë pacientë në ditë. Ekspertët besojnë se kjo risi mund të revolucionarizojë sistemin shëndetësor duke rritur efikasitetin, ulur kostot dhe duke zgjidhur mungesën e mjekëve, veçanërisht në zonat e largëta dhe me shërbim të munguar.
Ndërkaq, prodhuesi kinez i automjeteve Chery po kërkon që shitësit të mund të zëvendësohen nga robotët. Dega e saj në Afrikën e Jugut ka projektuar robotin AiMOGA për të shërbyer si një lloj konsulenti shitjesh në sallonet e Chery 4S në Malajzi. Një robot në madhësi reale, me pamje femërore, u shfaq në panairin e makinave në Shangai, ku u foli vizitorëve përmes protokolleve të ndryshme mikpritëse.