Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Imagjino të zgjohesh në mëngjes dhe, në vend që të dëgjosh alarmin që të bërtet “çohu!”, të të shfaqet një robot që të sjell mëngjesin. Tingëllon si e ardhmja? Epo, për disa njerëz, e ardhmja ka mbërritur pak më herët. Një kompani amerikane e quajtur Hello Robot ka prezantuar versionin më të ri të robotit të saj shtëpiak, Stretch 4. Mos prisni ndonjë Terminator apo ndonjë robot elegant si në filma. Ky duket më shumë si një përzierje mes një fshese me korent, një vinçi të vogël dhe një personi që ka harruar të shkojë në palestër. Por këtu qëndron pikërisht sekreti. Ndërsa shumë kompani po premtojnë robotë që do të bëjnë gjithçka, nga gatimi deri te pushtimi i Marsit, Hello Robot po fokusohet tek diçka shumë më reale: të ndihmojë njerëzit në shtëpitë e tyre.
Ndryshe nga robotët humanoidë që shpesh përfundojnë duke rrëzuar vazo, tavolina apo reputacionin e kompanisë që i prodhoi, Stretch është ndërtuar me një filozofi të thjeshtë: siguria e para. Çmimi? Rreth 30 mijë dollarë. Po, nuk është ende në kategorinë “e marr me këste si telefonin”, por është një hap i madh drejt ditës kur roboti i shtëpisë mund të bëhet po aq normal sa lavatriçja. Dhe sinqerisht, nëse një ditë roboti lan enët pa u ankuar, ai meriton më shumë respekt se shumica prej nesh.