Bota

Rrëzimi i Air India-s, regjistrimet në kabinë sugjerojnë se piloti ndërpreu furnizimin me karburant!

Një regjistrim në kabinën e Air India-s, që ka kapur një dialog midis dy pilotëve të avionit që u rrëzua muajin e kaluar, mbështet hipotezën se piloti ndërpreu furnizimin me karburant të motorëve të avionit. Reuters, teksa citon një burim, shkruan se piloti i parë ishte në kontroll të avionit Boeing 787 dhe i kërkoi kapitenit të shpjegonte pse kishte lëvizur çelësat e karburantit në një pozicion që ndërpriste furnizimin e motorëve me karburant, duke i kërkuar gjithashtu që të rikthente rrjedhën e karburantit.

Byroja e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë (AAIB), që po udhëheq hetimin për rrëzimin, tha në një deklaratë se hetimi vijon dhe se është shumë herët për të nxjerrë përfundime.

Shumica e aksidenteve ajrore shkaktohen nga faktorë të shumtë e sipas rregullave ndërkombëtare, pritet një raport përfundimtar brenda një viti nga një aksident.

Një raport paraprak i publikuar nga AAIB tha se një pilot u dëgjua në regjistruesin e zërit të kabinës duke pyetur tjetrin pse e ndërpreu karburantin dhe “piloti tjetër u përgjigj se nuk e bëri këtë”. Raporti paraprak i AAIB theksoi se çelësat e karburantit kishin kaluar nga “rrjedhje” në “ndërprerje” një sekondë larg njëri-tjetrit menjëherë pas ngritjes, por nuk tregoi si u zhvendosën.

Avioni me destinacion Londër filloi të humbiste fuqinë shtytëse dhe më pas nisi të rrëzohej. Çelësat e karburantit për të dy motorët u kthyen përsëri në “funksionim” dhe aeroplani u përpoq automatikisht të riniste motorët, thuhet në dokument.

Por, avioni ishte shumë ulët dhe shumë i ngadaltë për të qenë në gjendje të rikuperohej, bëri të ditur eksperti i sigurisë së aviacionit John Nance për agjencinë Reuters. Avioni u përplas me një kampus të Kolegjit Mjekësor, duke vrarë 19 njerëz në tokë dhe 241 nga 242 personat në bord.

Në një memo të brendshme në fillimjavë, CEO i Air India-s, Campbell Wilson deklaroi se “raporti paraprak nuk gjeti defekte mekanike ose mirëmbajtjeje dhe se të gjitha mirëmbajtjet e kërkuara ishin kryer”.