Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë ka deklaruar se SHBA do të zvogëlojnë numrin e trupave të stacionuara në krahun lindor të NATO-s. Bukureshti tha se në Rumani do të qëndrojnë midis 900 dhe 1,000 trupa amerikane, nga 1,700 që ishin më parë.
Ministria tha se vendimi ishte i pritshëm dhe se “ridimensionimi” i forcave amerikane ishte rezultat i prioriteteve të reja të administratës presidenciale Trump. Pentagoni tha se vendimi nuk përbënte një tërheqje nga Evropa ose një sinjal të uljes së angazhimit ndaj NATO-s dhe Nenit 5.
Ministri i Mbrojtjes Ionut Mosteanu deklaroi se një brigadë amerikane në bazën ajrore Mihai Kogalniceanu do të largohet me rotacion dhe nuk do të zëvendësohet. Brigada ka “elementë” në Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Hungari, megjithëse nuk ishte e qartë nëse trupat amerikane do të tërhiqeshin edhe nga këto vende.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha të mërkurën se Varshava nuk kishte asnjë informacion në lidhje me një reduktim të mundshëm të trupave amerikane në territorin e saj.
Që kur mori detyrën në janar, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk e ka mbajtur sekret dëshirën e tij për të zhvendosur fokusin e angazhimit ushtarak të SHBA-së nga Evropa në rajonin Indo-Paqësor dhe u ka kërkuar vazhdimisht anëtarëve evropianë të NATO-s të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.
Por njoftimi i tërheqjes së trupave amerikane nga Rumania do të jetë shqetësues për vendet e Evropës Lindore, shumë prej të cilave mendojnë se kanë arsye të kenë frikë nga një sulm rus në të ardhmen.