Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, vendosi tarifë prej 50% për një gamë të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja, duke e cilësuar këtë si përgjigje ndaj atij që e quan “trajtim të pabarabartë” të produkteve amerikane, përfshirë automjetet, produktet e qumështit dhe pijet alkoolike.
Ndër mallrat që do të preken nga tarifat e reja janë artikuj të konsumit të përditshëm, si vera dhe shkopinjtë e hokejit, si dhe produkte industriale, përfshirë çimenton. Megjithatë, disa eksporte strategjike kanadeze do të përjashtohen nga masat, si energjia, kaliumi, mineralet kritike dhe peshku.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se tarifat do të hyjnë në fuqi brenda 30 ditësh, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm të tensioneve tregtare mes dy vendeve fqinje.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, reagoi duke deklaruar se Kanadaja është e gatshme të “intensifikojë” bisedimet tregtare me SHBA-të, javët në vijim.
Tarifat e reja do të zbatohen për të gjitha mallrat e mbuluara, pavarësisht nëse ato përfshihen apo jo në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë mes SHBA-ve, Kanadasë dhe Meksikës (USMCA).
Ky është veprimi i fundit në një seri masash të njëanshme tregtare nga Amerika, që kanë nisur me vendosjen e tarifave në kundërshtim me Marrëveshjen Kanada-SHBA-Meksikë, shkroi Carney në një reagim në rrjetin social X.
Ai përmendi gjithashtu edhe “kërcënimet ndaj sovranitetit kanadez”, duke iu referuar deklaratave të mëhershme të Trump se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.
Masat e reja shtohen mbi tarifat ekzistuese. Aktualisht, Amerika aplikon tarifa nga 15% deri në 50% për çelikun, aluminin dhe bakrin kanadez, si dhe një tarifë prej 35% për drurin e butë dhe 25% për pjesët jo-amerikane të automjeteve.
Nga ana tjetër, Kanadaja ka vendosur kundërtarifa prej 25% për importe të caktuara amerikane të çelikut, aluminit dhe automjeteve.
Njoftimi i Trump-it vjen pak ditë pasi ai kërcënoi Kanadanë me tarifa për shkak të tymit nga zjarret masive që është përhapur në disa qytete amerikane. Megjithatë, zjarret nuk përmenden në urdhrat ekzekutivë të firmosur prej tij.
Në dokumentet zyrtare, administrata amerikane argumenton se mosmarrëveshjet lidhen me sektorin e automobilave, produktet e qumështit dhe pijet alkoolike, duke lënë të kuptohet se negociatat tregtare mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të vështirë.