Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Ukraina diskutuan për kornizat e mundshme të një armëpushimi. Një opsion synon mbrojtjen e infrastrukturës energjetike, si termocentralet e linjat e transmetimit dhe një tjetër përqendrohet në uljen e aktivitetit ushtarak në Detin e Zi.
Një nga kërkesat kryesore të Moskës është bërë publike: lehtësimi i sanksioneve. Në një deklaratë të Kremlinit të lëshuar pas marrëveshjes për armëpushim në Detin e Zi më 25 mars, Moska deklaroi se do ta respektojë marrëveshjen vetëm nëse Perëndimi heq pjesërisht sanksionet e vendosura pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës më shumë se tre vjet më parë.
Kjo kërkesë përfshin heqjen e kufizimeve për eksportet e plehrave e kompanitë e sigurimeve që i mbulojnë, si dhe qasjen e disa bankave ruse në sistemin global të pagesave SWIFT. Disa liderë të Bashkimit Europian, tashmë e kanë refuzuar kërkesën e Moskës, veçanërisht gjatë një takimi më 27 mars në Paris, ku zyrtarë të lartë nga më shumë se 30 vende u mblodhën për të diskutuar mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Në biseda me Radion Evropa e Lirë, diplomatë europianë vunë në dukje se deklarata e Shtëpisë së Bardhë e publikuar atë ditë, nuk përmendte aspak lehtësimin e sanksioneve. Duke iu referuar bisedimeve të fundit për armëpushim në Riad, një ambasador i BE-së i ka thënë REL-it se “asnjë marrëveshje nuk u arrit për këtë në Arabinë Saudite, ndaj nuk ka asgjë për të vendosur nga ana jonë”.
Marrëdhëniet tregtare të BE-së me Rusinë
Europianët nuk kanë qenë të pranishëm në bisedimet për armëpushim, por ata kanë një ndikim të madh mbi sanksionet ndaj Rusisë. Së pari, SWIFT është një kompani belge dhe BE-ja ka përjashtuar 23 banka ruse deri më tani, përfshirë gjigantët financiarë si Sberbank e Bank Otkritie.
Ata shprehen gjithashtu të vetëdijshëm se marrëdhëniet tregtare të Rusisë me Europën janë shumë më të thella se me Shtetet e Bashkuara. Edhe para pushtimit në shkallë të gjerë, eksportet amerikane në Rusi përbënin më pak se 0.5% të eksporteve të përgjithshme amerikane në mbarë botën. Për BE-në, kjo shifër ishte gjashtë për qind, që përkthehet në 250 miliardë euro.