Rusia kreu një prej sulmeve më të mëdhenj me raketa balistike ndaj Kievit që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, duke vrarë një person dhe plagosur 16 të tjerë. Ndërkohë, Ukraina njoftoi se goditi dy cisterna ruse të naftës, në Detin e Zi e një vinç lundrues në atë Azov.
Gjatë natës, Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha me raketa balistike ndaj Kievit, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Sipas tij, Moska lëshoi më shumë se 120 dronë sulmues e 40 raketa të llojeve të ndryshme dhe shumica kishin në shënjestër kryeqytetin.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia hodhi 41 raketa e 125 dronë në një sulm të kombinuar që kishte shënjestër kryesore Kievin.
Autoritetet raportuan gjithashtu dëme në rajonin e Odesës, ndërsa sulmet ruse gjatë kësaj jave goditën edhe të tjera rajone të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Ukrainës, Andriy Sybiha, e përshkroi këtë valë sulmesh si përdorimin më të madh të raketave balistike kundër Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022 dhe bëri thirrje për atë që e quajti “presion shkatërrues” ndaj Moskës për t’u dhënë fund sulmeve.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte goditur atë që e përshkroi si infrastrukturë ushtarake, përfshirë një qendër logjistike që pretendohet se përdorej për ruajtjen e komponentëve të armëve, objekte ku prodhoheshin pjesë për raketa, një depo për komponentë dronësh në rajonin e Kievit, si dhe depo karburanti dhe infrastrukturë portuale pranë Odesës.