Bota

Rusia rrethon trupat ukrainase, Trump kërkesë Putinit: “T’u kursehet jeta, do të ishte masakra më e tmerrshme që nga Lufta e Dytë Botërore!

Në një postim në faqen e tij në Truth Social, Donald Trump tha se bisedimet mes Rusisë dhe SHBA-së ishin “të mira dhe produktive”.

Megjithatë, ai paralajmëron se mijëra trupa ukrainase janë “të rrethuar plotësisht” nga ushtria ruse, duke thënë se ata janë në një “pozitë shumë të keqe dhe të cenueshme”.

Ai gjithashtu zbuloi se i kishte kërkuar Putinit “që t’u kursehej jeta”, duke shtuar: “Kjo do të ishte një masakër e tmerrshme” në një shkallë “të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”, sipas BBC.

Ka “shumë gjasa” që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund, u shpreh sot presidenti amerikan, Donald Trump, pas bisedimeve “frytdhënëse” mes zyrtarëve amerikanë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

 “Ne zhvilluam bisedime shumë të mira dhe frytdhënëse dje me presidentin e Rusisë, Vladimir Puti, dhe ka shumë mundësi që kjo luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme të marrë fund përfundimisht”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se ai i ka kërkuar Putinit ta kursejë jetën e trupave ukrainase që janë “plotësisht të rrethuara“.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff, mbajti takim të gjatë me Putinin në Moskë të enjten në mbrëmje.

Në postimin e tij, Trump nuk tregoi nëse ka biseduar vetë me Putinin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë të premten se Putin ia ka dërguar Trumpit një mesazh për propozimin e tij për armëpushim në Ukrainë, pas takimit në Moskë me të dërguarin e posaçëm Witkoff.

“Kur zoti Witkoff t’ia dërgojë të gjitha informacionet presidentit Trump, ne do të përcaktojmë kohën e bisedës. Ka arsye për të qenë optimistë të kujdesshëm”, tha Peskov.

Putin tha të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen fillimisht, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore.