Bota

Rusia shënjestron me sulme ajrore Kievin, e 9-ta herë brenda muajit!

Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, sot u godit nga sulmet ajrore të Rusisë, për të nëntën herë këtë muaj. Një person u vra dhe dy të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve raketore në Odesa, qytetin port në Detin e Zi. Siç bënë të ditur zyrtarët, shpërthimet janë dëgjuar edhe në disa qendra rajonale, të tilla si Vinitsia, Kmelnitski e Zhitomir.

Administrata ushtarake e Kievit raportoi se informacionet paraprake tregojnë se të gjitha raketat e hedhura, u shkatërruan. Dy ditë më parë, Ukraina u shpreh se ka rrëzuar gjashtë raketa hipersonike Kinzhal, po në kuadër të sulmeve “intensive”.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se ushtria e Ukrainës ka një gjendje të konsiderueshme gatishmërie, për të nisur një kundërofensivë të planifikuar me kohë ndaj forcave ruse.

Sipas tyre, tani ushtria e Kievit ka të gjitha kapacitetet për të bërë manovrimin e tankeve e të pajisjeve luftarake, si dhe ka inxhinierë të rinj në fushëbetejë. Po ashtu mund të pastrojë territoret nga minat, të ndërtojë ura të përkohshme për të kaluar lumenjtë e të shënjestrojë objektiva që ndodhen në distanca të gjata.

Ata kanë shtuar edhe se trupat ruse janë në gjendje “të pakëndshme”, por paralajmëruan se forcat mbrojtëse të Moskës mund të kenë vendosur shumë mina në linjën e frontit e ky përbën problem serioz.

Për këtë arsye, suksesi i një ofensive duhet të matet jo vetëm me fitore territoriale, por edhe nëse presidenti rus, Vladimir Putin, bindet që ta rishqyrtojë strategjinë e luftës së Rusisë. Kujtojmë se lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Shefi i Kremlinit, Putin vijon ta quajë luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Ndërkaq, Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.