“Aleatët europianë nuk duhet të shqetësohen për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj NATO-s”. Kjo u theksua sot nga Mark Rutte, shefi i aleancës ushtarake, duke folur para samitit ku pritet të miratohet një synim i ri për shpenzime të mëdha.
Takimi dyditor në Hagë ka për qëllim t’i dërgojë një mesazh presidentit të Rusisë, Vladimir Putin se NATO është e bashkuar, pavarësisht kritikave të mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump ndaj Aleancës dhe se është e vendosur ta zgjerojë e përmirësojë mbrojtjen për të frenuar çdo sulm nga Moska.
Presidenti dhe udhëheqja e lartë amerikane janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s, vuri në dukje Rutte në një forum publik para hapjes zyrtare të samitit, duke shtuar megjithatë, se ky përkushtim vjen me pritshmërinë që vendet europiane dhe Kanadaja t’i rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
Samiti dhe deklarata përfundimtare e tij do të jenë të shkurtra e të përqendruara në përgjigjen ndaj thirrjes së Trump-it për të shpenzuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një rritje e madhe nga objektivi i tanishëm prej 2%.
Rutte e përshkroi çështjen e shpenzimeve si pengesë, irritim i madh, që është fakti se ne nuk po shpenzojmë sa duhet si europianë e kanadezë dhe ata duan që të barazohemi me atë që shpenzon Amerika.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka planifikuar të takohet me Trump-in në Hagë edhe pse ai nuk do të marrë pjesë në samit, pasi zyrtarët e NATO-s janë përpjekur të shmangin përplasjet mes Trump-it e udhëheqësve të tjerë për luftën në Ukrainë.
I pyetur për mundësinë e përfundimit të luftës trivjeçare në Ukrainë, Rutte u shpreh:
Nuk mund të parashikoj kur do të ndodhë.
Gjithashtu, lavdëroi Trump-in për angazhimin me Putinin. Rusia ka përmendur dëshirën e fqinjit për t’u bashkuar me Aleancën e udhëhequr nga SHBA-të, si një nga arsyet pse e pushtoi Ukrainën në vitin 2022.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se NATO, e themeluar në vitin 1949 për t’i bërë ballë kërcënimit nga Bashkimi Sovjetik komunist është krijuar për konfrontim e ndodhet në rrugë të “militarizimit të pakontrolluar”.
Lufta mes Izraelit dhe Iranit dhe statusi i pasigurt i një armëpushimi të shpallur gjatë natës nga Trump, e bëjnë samitin shumë më pak të parashikueshëm nga sa do të dëshironte Rutte dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s.