Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se Irani e ka “shkelur plotësisht” armëpushimin mes dy vendeve dhe që hyri në fuqi më 06:00 të mëngjesit me orën tonë. Sipas Katzit, ushtria iraniane lëshoi raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Katz theksoi se e ka urdhëruar ushtrinë izraelite t’i rifillojë sulmet ndaj shënjestrave paramilitare e qeveritare në Iran.
Izraeli vuri në dukje se ka vërejtur raketa të lëshuara nga Irani në hapësirën e tij ajrore, më pak se tri orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, pasi si Izraeli, ashtu edhe Irani e pranuan thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore që ka tronditur Lindjen e Mesme.
Lajmet për një sulm me raketa nga Irani ndaj Izraelit pas hyrjes në fuqi të armëpushimit mes dy vendeve janë “mohuar”, raportuan mediat iraniane, duke cituar televizionin shtetëror.
Presidenti Trump, konfirmoi se një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe iu kërkoi të dy vendeve, të mos e shkelin. Kur pas mesnate njoftoi për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte, siç e quajti ai, 12-ditore, Trump la të kuptohej se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë t’i përfundonin misionet në zhvillim e pas tyre, armëpushimi do të hynte në fuqi.
Evropa ende po kërkon një rol në konfliktin Izrael-Iran, pasi u zu në befasi nga sulmet e SHBA-ve ndaj Iranit, që u kryen në fundjavë. Për evropianët është e drejtë të thuhet se ndihen disi të poshtëruar, pasi sulmi amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit ndodhi vetëm 24 orë pas takimit që ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe përfaqësuesja e BE-së, Kaja Kallas, zhvilluan më 20 qershor në Gjenevë me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.
Ato bisedime nuk çuan në diçka konkrete, madje as në marrëveshje për takim të ri. Por, Kallas ishte këmbëngulëse kur u pyet për këtë çështje para mbledhjes së Këshillit të Jashtëm të BE-së, më 23 qershor, duke thënë se Teherani ka filluar të hapet për çështjet e tij bërthamore dhe ato të sigurisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ishte i të njëjtit mendim.
Ai tha se përpjekjet e Evropës nuk kanë çuar askund dhe se iranianët nuk kanë shumë dëshirë të bisedojnë.
Për më tepër, mbrëmjen e 23 qershorit, ai njoftoi se Irani dhe Izraeli janë pajtuar tashmë për armëpushim.