Në Athinë vijon punimet takimi i Ministrave të Punëve të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me homologët e Nismës së Vishegradit ku bëjnë Hungaria, Çekia, Sllovakia e Polonia. Shqipëria përfaqësohet me Kryediplomatin Ditmir Bushati, i cili kërkoi që BE-ja t’i japë fund izolimit të rajonit tonë: “Elementi i parë i rëndësishëm është që të sigurohemi që ky proces të jetë përfitues për të dyja palët. Vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Për ne ky proces është një instrument për të transformuar veten tonë. Por, është gjithashu i rëndësishëm për Bashkimin Europian që të zgjerohet me vendet e rajonit”. Ndërkaq, edhe Kryediplomati Grek, Nikos Kotzias i kërkoi vendeve të Bashkimit Europian, të fokusohen më shumë në çështje që i përkasin rajonit të Ballkanit. Takimi në Athinë vijon me takime dy palëshe mes ministrave pjesëmarrës, ndërsa në 17 e 30 me orën tonë, Shqipëria dhe Greqia firmosin në Athinë marrëveshjen për njohjen reciproke të patentave.