Rajoni

Sarajeva përkujton fëmijët e vrarë gjatë rrethimit 1992-1995!

Në Kantonin e Sarajevës, 5 maji është ditë zie në kujtim të fëmijëve të vrarë atje, gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, në vitet ’90. Sipas të dhënave zyrtare, 1 mijë e 601 të mitur u humbën jetën gjatë katër viteve të rrethimit të Sarajevës (1992-1995).

Sipas vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendase, 53 prej tyre u ekzekutuan nga snajperët, ndërsa më shumë se 14 mijë u plagosën.

Për krimet ndaj fëmijëve të kryera gjatë rrethimit, deri më tani nuk është mbajtur askush përgjegjës.

Në vitin 2019, u vendos që 5 maji të shënohet si Dita e Kujtimit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës.

Që nga shkurti 2020, Muzeu Historik i Bosnjë-Hercegovinës po mbledh sende personale të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, të ekspozuara në kuadër të instalacionit memorial “Dhoma e Bardhë”.

Rrethimi i Sarajevës

Terrori ndaj qytetarëve të Sarajevës zgjati 1.425 ditë. Sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë, sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës.

Për rrethimin e Sarajevës, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë dënoi me burgim të përjetshëm Stanisllav Galliçin, ndërsa Dragomir Millosheviç u dënua me 29 vjet burg. Të dy ishin komandantë të Korpusit Sarajevë-Romanija, që e mbajti qytetin nën rrethim për 44 muaj.

Disa pjesë të dënimeve të përjetshme të Radovan Karaxhiçit, ish-president i Republikës Sërpska dhe Ratko Mlladiçit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, po ashtu lidhen me terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës.

Në nivel vendor, për krimet në pjesët e rrethuara të qytetit, deri tani janë ndjekur 12 persona. Në Gjykatën e Hagës është akuzuar edhe ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, por ai ka vdekur gjatë procesit, në mars të vitit 2006 dhe gjykimi u ndërpre.

Bilana Pllavshiç, ish-presidente e Republikës Sërpska, pranoi fajësinë për pjesëmarrje në krimet në Sarajevë dhe u dënua me 11 vjet burg nga Gjykata e Hagës.