Health & Beauty Lifestyle

Sekreti i jetëgjatësisë dhe i një truri të shëndetshëm është te…

Një neurolog me mbi 30 vjet përvojë thotë se sekreti i jetëgjatësisë dhe i një truri të shëndetshëm nuk qëndron te një ilaç i vetëm, por te kujdesi për të gjithë organizmin.

David Dodick, ish-neurolog në “Mayo Clinic” dhe aktualisht drejtues shkencor në institutin “Atria”, thekson se shumë sëmundje të trurit zhvillohen për dekada përpara se të shfaqin simptomat e para.

Sipas tij, aktiviteti fizik është receta më e mirë që një mjek mund të japë.

Rekomandon dhe të paktën 150 minuta në javë ushtrime aerobike me intensitet të moderuar, ku zemra punon më shpejt.  Përveç kësaj, çdo ditë kryen aktivitet fizik e ushtrime force për të ruajtur masën muskulore.

Dodick vëren se muskujt nuk janë të rëndësishëm vetëm për lëvizjen, por edhe për shëndetin e trurit, ndjeshmërinë ndaj insulinës e metabolizmin.

Me kalimin e moshës, humbja e masës muskulore përshpejton rrezikun e sëmundjeve kronike, ndaj stërvitja me pesha mbetet një pjesë thelbësore e rutinës së tij.

Gjumi cilësor është një tjetër element që e konsideron të panegociueshëm. Sipas neurologut, truri ka nevojë për gjumë të thellë dhe të mjaftueshëm për të kryer proceset e riparimit dhe pastrimit të mbetjeve metabolike.

Nuk kërkohet përsosmëri, por që zakonet e shëndetshme të ndiqen në 80–90% të rasteve.

Për të mbajtur trurin aktiv, Dodick këshillon mësimin e aftësive të reja, si një gjuhë e huaj apo një instrument muzikor. Aktivitetet që kombinojnë lëvizjen fizike me sfidat mendore, si vallëzimi ose boksi, ofrojnë përfitime të dyfishta për funksionin njohës dhe koordinimin.

Menaxhimi i stresit është po aq i rëndësishëm. Ai përdor meditimin, ushtrimet e frymëmarrjes së thellë dhe teknika biofeedback-u për të përmirësuar reagimin e organizmit ndaj stresit. Sipas tij, qëllimi nuk është eliminimi i stresit, por aftësia për t’iu përshtatur atij në mënyrë të shëndetshme.

Në aspektin ushqimor, neurologu ndjek dietën MIND, e cila bazohet te perimet, frutat, bishtajoret, arrat, vaji i ullirit, peshku dhe mishi i shpendëve, duke kufizuar ushqimet ultra të përpunuara dhe alkoolin e tepërt. Studimet kanë treguar se respektimi i kësaj diete lidhet me një ulje të rrezikut për demencë dhe probleme të tjera neurologjike.

Një rol të rëndësishëm luajnë edhe marrëdhëniet shoqërore. Dodick qëndron në kontakt të vazhdueshëm me familjen dhe miqtë, bën shëtitje me bashkëshorten dhe merr pjesë në aktivitete sociale.

Sipas tij, lidhjet njerëzore, së bashku me aktivitetin fizik, ushqimin e shëndetshëm, gjumin dhe stimulimin mendor, përbëjnë bazën e një jete më të gjatë dhe një truri më të shëndetshëm.