Një sasi prej të paktën 50 kilogramësh kokainë, e ndarë në 53 pako brenda dy çantave u kap në Portin e Durrësit. Droga u gjet në hambarin e anijes “Unistream” që transporton qymyr dhe mban flamur të Antigua Barbudës, në kalatën lindore të portit. Task Forca e stacionuar prej rreth dy vitesh në portin e Durrësit u sinjalizua nga partnerët ndërkombëtar e për momentin nuk ka të arrestuar.
Paraprakisht, mësohet se ngarkesa u nisur nga porti i Barranquillas në Kolumbi më 26 prill në orën 11:32, për të mbërritur në portin më të madh detar të vendit tonë, më 16 maj, pra një ditë më parë, në orën 08:32.
Vazhdojnë hetimet për të mësuar nëse sasia e drogës kishte si destinacion final Shqipërinë apo porti i Durrësit u përdor si tranzit nga trafikantët.
Po ashtu, mësohet se dy çantat me kokainë ishin hedhur në mes të ngarkesës me qymyr. Anija “Unistream” me kapiten një rus, transportonte 6 mijë e 500 ton qymyr. E gjithë kjo sasi do t’i nënshtrohet kontrolleve të imtësishme.