Një grup senatorësh amerikanë të udhëhequr nga Jeanne Shaheen kërkojnë që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, të punojnë për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Ata paralajmëruan se dështimi për një gjë të tillë do të mund të dëmtonte marrëdhëniet e të dy vendeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një deklaratë thuhet:
Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar me situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne ritheksojmë se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin Amerikan mbi përpjekjet e Bashkimit Europian në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara. Por, që një zgjidhje të jetë e qëndrueshme, si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të shtensionuar situatën, për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, duke themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Senatorët u bënë thirrje të dy udhëheqësve që ndërsa shqyrtojnë hapat e ardhshëm, të zgjedhin paqen, përparimin e sigurinë e qytetarëve të tyre. Në deklaratën e përbashkët të senatorëve Shaheen, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts, thuhet:
Dështimi për të ulur tensionet do të shkaktonte veprime me pasoja nga Perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën e Serbinë në rrugën përpara. Po ashtu, po rrezikon që të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është në interesin e askujt. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim me Bashkimin Europian e Shtetet e Bashkuara për të gjetur zgjidhje, pa vonesë.
Tensionet pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian thanë se ulja e tensioneve, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri e kthimi në tryezën e bisedimeve janë kërkesat e tyre kryesore.