Në Kongresin Amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, miratoi një plan afatshkurtër për financimin e qeverisë, ndërsa afrohet afati i 14 marsit. Buxheti afatshkurtër kaloi me 217 vota pro e 213 kundër, me një republikan që doli kundër dhe një demokrat që votoi në mbështetje të buxhetit. Por, projektbuxheti duhet të miratohet në Senat për t’u nënshkruar si ligj nga presidenti Trump.
Vota kundër do të dëmtojë popullin amerikan e shkatërrojë vrullin e jashtëzakonshëm që ka krijuar Trump gjatë 51 ditëve të fundit, tha për mediat zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Projektligji për buxhetin afatshkurtër kërkon 60 vota në Senat, çka nënkupton që republikanët duhet të sigurojnë edhe mes ligjvënësve demokratë. Dhoma e Përfaqësuesve është pushim gjatë gjithë javës, duke ushtruar presion mbi senatorët për miratimin e variantit të saj.
Jemi të përgatitur ta shqyrtojmë në Senat e të sigurohemi që të premten qeveria të jetë e hapur. Por do të varet nga demokratët nëse kjo ndodh apo jo, deklaroi lideri i shumicës republikane në Senat, John Thune.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, arriti të sigurojë mbështetje brenda ligjvënësve republikanë për miratimin e buxhetit afatshkurtër.
Buxheti 7-mujor na lejon të ecim përpara duke ndryshuar madhësinë dhe fushëveprimin e qeverisë federale. Në Uashington po ndodh një zhvendosje sizmike. Eshtë një moment krejt ndryshe nga sa më parë. Detyra e DOGE-s është gjetja e abuzimeve masive, shpërdorimeve dhe abuzimit. Kemi një Shtëpi të Bardhë të përkushtuar për kthimin në një situatë të përgjegjshme fiskale.
Por nga ana tjetër, kritikët dhe disa analistë thonë se DOGE pretendon për abuzime në shkallë të gjerë për të fituar mbështetje për shkurtimet e thella të programeve dhe zyrave federale.
Më herët dje, zv.presidenti JD Vance foli me ligjvënësit në Kongres për të siguruar mbështetje për buxhetin. Thomas Massie ishte i vetmi republikan kundër, pavarësisht thirrjes së Trump-it në “TruthSocial” se nëse ai votonte kundër do të përballej me sfidues në zgjedhjet e ardhshme për Dhomën e Përfaqësuesve.
Buxheti afatshkurtër u jep kohë ligjvënësve që të arrijnë kompromis për variantet e projektbuxhetit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, mjet kyç për vënien në jetë të axhendës së presidentit Trump për politikën e brendshme. Pikëpyetjet shtrohen rreth zbatimit të planit të Trump-it të vitit 2017 për shkurtimin e taksave dhe pagesa e borxhit amerikan, pa shkurtuar programet kryesore për amerikanët.