Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, senatorët thonë se janë të gatshëm të punojnë gjatë gjithë natës për të miratuar një buxhet qeveritar në përputhje me axhendën e presidentit Donald Trump.
Senati do të debatojë për një paketë prej 340 miliardë dollarësh, për të cilën ekipi i presidentit Trump deklaron se “është e nevojshme për përpjekjet e dëbimeve masive të emigrantëve të paligjshëm” dhe masat e sigurisë që përcakton axhenda republikane.
Përmes një maratone votimesh, senatorët do të thonë fjalën e tyre për orë të tëra për secilin amendament, duke përdorur taktika të ndryshme politike, kryesisht nga demokratët, në përpjekje për të frenuar miratimin e paketës.
Edhe nëse paketa miratohet nga Senati, ende ka nevojë të shkrihet me atë të Dhomës së Përfaqësuesve, teksa po përgatit projektligjin që përfshin rreth 4.5 trilion dollarë ulje taksash e deri në 2 trilion dollarë më pak shpenzime buxhetore.
Në një tjetër zhvillim, më herët, Senati amerikan konfirmoi Kash Patelin në postin e drejtorit të FBI-së, duke e vënë atë në krye të agjencisë federale të zbatimit të ligjit, pavarësisht dyshimeve të ligjvënësve demokratë lidhur me kualifikimin e tij.
Nuk mund të imagjinoj një zgjedhje më të keqe, u shpreh ligjvënësi demokrat Dick Durbin para votimit 51-49 në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Senatoret Susan Collins e shtetit Maine dhe Lisa Murkowski e Alaskës, ishin të vetmet nga republikanët që votuan kundër të emëruarit të presidentit Donald Trump për postin e drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve.
Një përkrahës i zjarrtë i republikanit Trump, Patel ka qenë edhe një kritik i ashpër i agjencisë që do të drejtojë. Departamenti i Drejtësisë ka larguar nga FBI-ja një grup zyrtarësh të lartë ndërsa ka bërë një kërkesë të pazakontë për emrat e të gjithë punonjësve që hetuan trazirat e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit amerikan.
Kash Patel ka shprehur synimet për të bërë ndryshime rrënjësore në FBI, duke ulur numrin e punonjësve në zyrat qendrore të agjencisë, si dhe kthimin te misioni tradicional për luftën ndaj krimit, në vend të mbledhjes së të dhënave sekrete dhe çështjeve të sigurisë kombëtare e që kanë përcaktuar mandatin e saj gjatë dy dekadave të fundit.