Bota

SHBA miraton shitjen e armëve për Ukrainën me vlerë 825 milionë dollarë

Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e armëve me vlerë rreth 825 milion dollarë për Ukrainën, siç raportoi Agjencia e Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Mbrojtjes e SHBA-ve (DSCA). Paketa përfshin raketa me rreze të zgjatur veprimi dhe pajisje përkatëse të kërkuara nga Kievi. Siç është zakon me shitjet e armëve të huaja, agjencia njoftoi se Kongresi është informuar.

Kjo shitje e propozuar do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një vendi partner që është një forcë për stabilitet politik dhe përparim ekonomik në Evropë, vuri në dukje DSCA në një deklaratë. Blerja do të mbështetet me ndihmë financiare nga Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia.

Njoftimi vjen pasi Rusia nisi mbi 600 sulme me raketa dhe dronë dje në mëngjes, bombardimet e saj më të rënda që nga fundi i korrikut, pavarësisht javëve të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Sulmin rus me raketa dhe dronë në Kiev ku u vranë të paktën 21 njerëz, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quan “goditje nga Rusia” kundër presidentit amerikan. Edhe Donald Trump u shpreh “i pakënaqur” me sulmin, referuar njoftimit të Shtëpisë së Bardhë.

Tani, Rusia po godet këdo në botë që dëshiron paqe. Eshtë një goditje kundër Ukrainës… Dhe është gjithashtu një goditje nga Rusia kundër presidentit Trump.

Mungesa e përparimit drejt një armëpushimi në luftën në Ukrainë ka filluar ta zemërojë Trump-in, i cili e ka kërcënuar Moskën me sanksione dhe tarifa të reja.

Ne kemi dëgjuar në Uashington se gjoja Putin është gati ta përfundojë luftën… Por, në vend të kësaj, ai zgjedh raketat balistike para çdo hapi të mirëfilltë drejt paqes.

Zelensky pret që të përcaktohet një kornizë për garancitë e sigurisë për Ukrainën, javën e ardhshme. Aleatët europianë u zotuan se do t’i ofrojnë Ukrainës garanci për sigurinë, në rast të një armëpushimi, me mundësinë e përfshirjes së SHBA-ve gjithashtu. Një grupi liderësh europianë në një takim virtual, Zelensky iu tha:

Eshtë e rëndësishme që presidenti Trump të shohë se ne në Europë jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për ta përfunduar luftën.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se presidenti Trump nuk është i kënaqur për shkak të sulmeve të Rusisë një ditë më parë, si pasojë e të cilave u plagosën edhe dhjetëra njerëz në kryeqytetin ukrainas.