Ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Bashkimit Europian do të bisedojnë mbi vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, si dhe për gjendjen e rënduar në Rripin e Gazës gjatë dy ditëve bisedimesh në Kopenhagen, nisur nga sot. Takimi zhvillohet një ditë pasi Rusia bombardoi kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ku vrau të paktën 21 persona, mes tyre fëmijë, si dhe plagosi 48 të tjerë.
Fillimisht, ministrat e Mbrojtjes të BE-së do të hapin bisedimet mbi mënyrat për të rritur mbështetjen ushtarake për Kievin e për të rritur bashkëpunimin e bllokut me industrinë e mbrojtjes së Ukrainës, duke pasur parasysh kufizimet e Shteteve të Bashkuara në mbështetjen me armë.
Bisedimet e kryediplomatëve ditën e nesërme do të përqendrohen në planet për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, me synim që të ushtrohet trysni mbi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për ta pranuar një armëpushim dhe për t’u angazhuar në bisedime për paqe.
Kohët e fundit BE-ja ka vënë në shënjestër të ashtuquajturën “flotë në hije” të Moskës, anije të përdorura për të shmangur kufizimet e eksportit të energjisë, si dhe të ardhurat energjetike të saj. Gjithashtu pritet të diskutohet për garanci të mundshme sigurie për Ukrainën pas përfundimit të luftës, si edhe për mënyrën e trajtimit të aseteve të ngrira të bankës qendrore ruse në BE, që arrijnë shumën prej rreth 210 miliardë euro.
Ministrat e Jashtëm të Ukrainës, Islandës, Norvegjisë dhe Mbretërisë së Bashkuar janë ftuar në Kopenhagen për t’u bashkuar me homologët e tyre të BE-së.
Edhe lufta në Gazë në rend dite
Edhe lufta në Gaza është pjesë e rendit të ditës ditën e nesërme. BE-ja është e ndarë për mënyrën si duhet të përgjigjet ndaj një raporti të brendshëm, që gjeti se veprimet e Izraelit në këtë territor të shkatërruar bien ndesh me marrëveshjen BE-Izrael që i detyron të dyja palët t’i respektojnë të drejtat e njeriut.
Teksa disa vende të BE-së, përfshirë Francën dhe Spanjën, mbështesin një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, të tjera si Gjermania janë kundër sanksioneve. Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau 1.200 vetë në jug të Izraelit dhe mori rreth 250 pengje, sipas shifrave izraelite. SHBA-të dhe BE-ja e kanë shpallur Hamasin “organizatë terroriste”.
Mbi 62 mijë e 122 palestinezë janë vrarë gjatë luftës së Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.