Bota

SHBA po përgatitet të vendosë trupa ushtarake në Damask

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të vendosin trupa ushtarake në një bazë ajrore në Damask, me qëllim mbështetjen e një marrëveshjeje sigurie që Uashingtoni po ndërmjetëson midis Sirisë dhe Izraelit, raportoi Reuters.

Sipas raportimeve, baza ndodhet në hyrje të rajoneve jugore të Sirisë, e cilat pritet të përfshijë një zonë të çmilitarizuar si pjesë e një pakti mosagresioni midis Izraelit dhe Sirisë, marrëveshje që po ndërmjetësohet nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump

Presidenti Trump pritet të takojë presidentin sirian Ahmed al-Sharaa të hënën në Shtëpinë e Bardhë, vizita e parë e kreut të shtetit sirian në SHBA. Sipas raportimeve, baza do të përdoret për të ndihmuar monitorimin e një marrëveshjeje të mundshme midis Izraelit dhe Sirisë.

Një zyrtar i administratës amerikane tha për Reuters se “SHBA-ja vlerëson vazhdimisht pozicionimin e saj të nevojshëm në Siri për të luftuar në mënyrë efektive Shtetin Islamik”. Për arsye sigurie, agjencia nuk ka zbuluar vendndodhjen e saktë të bazës.

Një zyrtar ushtarak tha se Pentagoni ka përshpejtuar planet gjatë dy muajve të fundit, me disa misione zbulimi në bazë, të cilat konfirmuan se pista ajrore është e gatshme për përdorim të menjëhershëm.

Dy burime ushtarake siriane thanë se diskutimet teknike janë përqendruar në përdorimin e bazës për logjistikë, mbikëqyrje, furnizim me karburant dhe operacione humanitare, ndërsa Siria do të ruajë sovranitetin e plotë mbi objektin.

SHBA ka aktualisht trupa të dislokuara në verilindje të Sirisë, në kuadër të përpjekjeve dhjetëvjeçare për të mbështetur forcat kurde në luftën kundër Shtetit Islamik. Në prill, Pentagoni njoftoi se do të përgjysmonte numrin e trupave në rreth 1 mijë ushtarë.

Presidenti Sharaa ka deklaruar se çdo prani ushtarake amerikane duhet të bazohet në marrëveshje me shtetin e ri sirian.

Ndërkohë, Siria pritet t’i bashkohet së shpejti koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it, sipas burimeve amerikane dhe siriane.