Bota

SHBA, shënohet viktima e parë nga gripi i shpendëve!

Një person nga Luiziana, i shtruar në spital me simptoma të rënda për frymëmarrjen, vdiq nga gripi i shpendëve duke u bërë rasti i parë në Shtetet e Bashkuara që humb jetën nga sëmundja. Zyrtarët e shëndetësisë në Luiziana njoftuan për vdekjen dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve konfirmoi se ishte e para në vend, për shkak të gripit të shpendëve.

Viktima ishte mbi 65 vjeç, me probleme të mëdha shëndetësore e ka patur kontakt me shpendë të sëmurë e të ngordhur në oborrin e shtëpisë së tij. Një analizë gjenetike la të kuptohej se virusi i gripit të shpendëve kishte pësuar mutacion në organizmin e pacientit, gjë që mund të ketë shkaktuar një rast më të rëndë sëmundjeje.

Që nga marsi, në Shtetet e Bashkuara janë konfirmuar 66 raste infeksioni me gripin e shpendëve, por konsideroheshin të lehta dhe shumica janë zbuluar në mesin e fermerëve të ekspozuar ndaj lopëve të sëmura ose shpendëve.

Një vdekje nga gripi i shpendëve nuk ishte e papritur, thanë ekspertët e virusit. Që nga viti 2003, ka pasur më shumë se 950 infeksione të konfirmuara të gripit të shpendëve në shkallë globale e mbi 460 prej tyre kanë vdekur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Virusi i gripit të shpendëve është një kërcënim serioz dhe historikisht ka qenë një virus vdekjeprurës, tha Jennifer Nuzzo, drejtore e Qendrës për Pandeminë në Fakultetin e Shëndetit Publik të Universitetit Brown. Studiuesit po punojnë për të vlerësuar rreziqet e versionit aktual të virusit e të përcaktojnë se çfarë e bën atë të jetë më i rëndë te disa njerëz.

Në një deklaratë, zyrtarët e CDC-së theksuan se vdekja e shënuar në Luizianë është tragjike, por gjithashtu vunë në dukje se “nuk ka ndryshime virologjike shqetësuese, që rrisin rrezikun për shëndetin e njeriut”.