Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar vendosën sanksione ndaj ministrit të Brendshëm të Gjeorgjisë, Vakhtang Gomelauri, si dhe të tjerë zyrtarëve të lartë në ministri, lidhur me rolin e dyshuar të tyre, në shtypjen e dhunshme të gazetarëve, figurave opozitare e protestuesve antiqeveritarë. Shtetet e Bashkuara sanksionuan edhe Mirza Kezevadze-n, zv.shef i Departamentit të Forcave Speciale në Ministrinë e Brendshme të Gjeorgjisë.
Veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Britaninë, që vendosi sanksione ndaj Gomelaurit dhe katër zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Brendshme, për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut. Një zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit tha se “janë të ngjashme” arsyet e cituara nga të dyja qeveritë për vendosjen e sanksioneve.
Pas zgjedhjeve në Gjeorgji, zyrtarë kyçë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u përfshinë në shtypjen e popullit në mënyrë të egër, përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të gazetarëve dhe përdorimin e dhunës. Çdo aset i zotëruar nga Gomelauri dhe Kezevadze, në juridiksionin amerikan është bllokuar.
Përveç Gomelaurit, Britania vendosi sanksione edhe ndaj zv.ministrit të Brendshëm, Aleksandre Darakhvelidze, si dhe Sulkhan Tamazashvilit, Zviad Kharazishvilit e Mileri Lagazaurit.
Mijëra njerëz protestuan përsëri në Tbilisi, në ditën e 22-të radhazi të protestave kundër vendimit të qeverisë për t’i ndërprerë bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE. Protestuesit kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e fitores së partisë Ëndrra Gjeorgjiane në zgjedhjet që u mbajtën në fund të tetorit.
Manifestimet u rritën pasi kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, njoftoi se Tbilisi pezulloi deri në vitin 2028 bisedimet me Brukselin për anëtarësimin e Gjeorgjisë në Bashkimin Europian. Presidentja proeuropiane, Salome Zurabishvili, tha se zgjedhjet e 26 tetorit u manipuluan me ndihmën e Moskës dhe u zotua se nuk do të largohet nga detyra edhe kur pasardhësi i saj, të betohet më 29 dhjetor.
Zurabishvili dënoi “sulmet brutale ndaj popullit dhe mediave gjeorgjiane”, duke e krahasuar shtypjen e tyre nga autoritetet me “represionin në stilin rus”. Protestat janë shpërndarë në mënyrë të dhunshme, aktivistët janë arrestuar dhe politikanët e opozitës dhe përfaqësuesit e medias janë sulmuar. Gjeorgjia mori statusin e vendit kandidatit për BE-në në dhjetor 2023 dhe sipas sondazheve, shumica e gjeorgjianëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Union.