Shefi ekzekutiv i Mercedes-Benz, Ola Källenius, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të rishqyrtojë ndalimin e shitjes së makinave me motorë me djegie të brendshme nga viti 2035. Në një letër të hapur drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ai tha se “bota ka ndryshuar drastikisht” që prej shpalljes së këtij plani dhe paralajmëroi se “industria mund të përplaset me mur me shpejtësi të plotë”.
Källenius, i cili është edhe president i Shoqatës së Prodhuesve Evropianë të Automjeteve (ACEA), argumentoi se objektivat e rrepta të CO2 nuk janë më të realizueshme. Ai theksoi se ka një “mundësi të fundit” për të korrigjuar kursin, përpara debatit të 12 shtatorit ku ndalimi mund të rishikohet. Ndërkohë, disa prodhues si Kia kundërshtojnë ndryshimin, duke thënë se zhbërja e planit do të shkaktonte humbje të mëdha pas investimeve në makinat elektrike. BE-ja e ka konfirmuar ndalimin e vitit 2035, por ka dhënë lehtësime afatshkurtra për objektivat e periudhës 2025-2027.
Sipas revistës gjermane, Manager Magazin, Mercedes-Benz po negocion me BMW-në për blerjen e motorëve me katër cilindra për linjën e vet të modeleve duke filluar nga viti 2027. Motori, i cili me shumë gjasa do të jetë një derivat i motorit 2.0-litërsh B48 me turbo, do të mbushte boshllëkun në linjën e Mercedes-it si motor PHEV (plug-in hibrid) ose si shtytës i distancës. B48, i prodhuar në Steyr të Austrisë, ofron gjithashtu më shumë fleksibilitet, pasi është dizajnuar që të instalohet në mënyrë longitudinale dhe transversale, duke e bërë të përshtatshëm për një gamë të gjerë modelesh kompakte dhe mesatare.