Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci reagoi në rrjetet sociale në lidhje me shembjen e një masivi shkëmbor në rrugën Kir-Lotaj-Ndërlysaj, pjesë e rrugës së Dukagjinit, që është në ndërtim. Në Facebook shkruan se nuk ka pasur dëmtime të kalimtarëve apo të punonjësve që po kryenin punime, por thekson se është e pamundur ndërhyrja për lirimin e rrugës.
Firma kontraktuese, pavarësisht angazhimit për lirimin e këtij segmenti, e ka pasur të pamundur zhbllokimin e rrugës për shkak të shembjeve të vazhdueshme, të cilat vijojnë edhe sot. Eshtë tepër e rrezikshme të përdoren fadromat apo eskavatorët, pasi masivi shkëmbor mbi aksin e rrugës ka një lartësi prej 150–200 metrash.
Beci vë në dukje se pritet stabilizimi i terrenit për të ndërhyrë, si edhe kërkon mirëkuptimin e banorëve, të cilëve iu bën thirrje të përdorin rrugë alternative në drejtim të Shkodrës.
Postimi i plotë:
Që prej ditës së djeshme, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor në rrugën Kir–Lotaj–Ndërlysaj, pjesë e rrugës së Dukagjinit, Loti II, i projektit që po financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në vendin e quajtur “Prroni i Çiverit”, fshati Kir, Njësia Administrative Pult, është bllokuar segmenti rrugor.
Fatmirësisht nuk është shënuar asnjë dëmtim i kalimtarëve apo i punonjësve të firmës që po kryen punimet.
Firma kontraktuese, pavarësisht angazhimit për lirimin e këtij segmenti, e ka pasur të pamundur zhbllokimin e rrugës për shkak të shembjeve të vazhdueshme, të cilat vijojnë edhe sot.
Eshtë tepër e rrezikshme të përdoren fadromat apo eskavatorët, pasi masivi shkëmbor mbi aksin e rrugës ka një lartësi prej 150–200 metrash.
Sipas ekspertëve, duhet pritur stabilizimi i terrenit për të ndërhyrë në kushte sigurie. Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe i ftojmë të përdorin rrugë alternative për të lëvizur në drejtim të Shkodrës.
Sapo ekspertët e sigurisë të japin dakordësinë për vijimin e punimeve, firma që po kryen punimet në këtë segment rrugor do të bëjë zhbllokimin e këtij aksi rrugor.